Google ADS

30 studentë të antropologjisë fillojnë praktikën në institucionet e trashëgimisë

11:03 | 7 Mars 2016
Arbresh.info

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot një grup prej 30 studentësh nga Departamentet i Antropologjisë nga Fakultetit i Filozofik i Universitetit të Prishtinës, të cilët nga sot do të fillojnë praktikën 3 deri në 6 mujore me pagesë, në institucionet e trashëgimisë kulturore që veprojnë në kuadër të MKRS-së.

Kjo vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit, të cilin MKRS-ja e ka nënshkruar me fakultetin përkatës në vitin e kaluar. Në kuadër të këtij memorandumi, parashihen një sërë aktivitetesh, si trajnime, konferenca, seminare dhe botime që për synim kanë hulumtimin, ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Ministri Shala i përgëzoi studentët dhe iu uroi punë të mbarë, dhe njëkohësisht iu premtoi përkrahjen dhe mbështetjen e institucioneve të kulturës në rrugën e formimit dhe ngritjes së tyre të mëtejme profesionale. Ai po ashtu u shpreh se trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e Kosovës, janë tejet me rëndësi për të ndërtuar Kosovën e së nesërmes dhe në këtë synim, brezi i ri, ka një rol fondamental.

Ministri Shala u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Departamentin e Antropologjisë, si një ndër departamentet e vetme të kësaj fushe në gjuhën shqipe, ku studimet themelore janë studimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës, trashëgiminë kulturore e kanë prioritet të veçantë, ndaj edhe po investohet në shumë aspekte për të gjurmuar, konservuar dhe promovuar, gjithnjë në funksion të ruajtjes edhe të diversitetit kulturor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme