1 milionë euro për ndërtimin e shkollës në Llapushnik

12:01 | 9 Korrik 2015
Arbresh.info

Komuna e Drenasit ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë për financimin e projektit për ndërtimin e objektit të ri të shkollës në Llapushnik

Ky projekt, sipas Bekim Dobrës, zëdhënës i Komunës së Drenasit, ka koston prej 1 milion eurosh.

Sipas tij, këto tri organizata buxhetore do të financojnë edhe për projektin e ndërtimit të aneksit dhe rinovimin e shkollës në Komaran, ndërtimin e infrastrukturës së shkollës në Kizhnarekë, ndërtimin e infrastrukturës së shkollës në Gllobar dhe rinovimin e objektit të shkollës Korroticë të Epërme.

Në bazë të Memorandumi, Komuna e Drenasit ka bërë projektet ideore për investime në këto objekte, ndërsa financimin e tyre e bëjnë dy ministritë, ndërsa punët në realizimin e projekteve do të nisin menjëherë.

Punët në përmirësimin e infrastrukturës kanë filluar të kryhen edhe në shkollën fillore në qendër të qytetit të Drenasit “Rasim Kiçina”. Për projektin në këtë shkollë IOM-i ka investuar 220 mijë euro, ndërsa Komuna do të investojë në rregullimin e ngrohjes së shkollës.

Drejtori Komunal i Arsimit, Sadik Tahiraj, ka vlerësuar se projektet për rinovimin dhe ndërtimin e objekteve shkollore do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së mësimit. “Këto projekte, të cilat do të realizohen këto ditë janë mjaft të rëndësishme për komunën, e të cilat do të ndihmojnë ngritjen e cilësisë në arsim”, tha drejtori Tahiraj.

Po ashtu, këtë vit janë planifikuar të ndërtohen me mjete buxhetore të Komunës edhe gjashtë terrene sportive të shkollave: “Migjeni” në Baicë, “Bajram Curri” në Nekofc, “Shote Galica” në Tërdefc, “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë dhe “Zenel Hajdini” në Tërstenik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme