Të dielën e kaluar rreth orës 13:30, në kufirin Kosovë-Serbi, në lagjen Bernjasheve, pra në rrugën kryesor qe të qon në Novosellë-Karaçevë, kanë hyrë një grup prej rreth 8 pjesëtarë të uniformuar, me helmeta në kokë dhe me armë të gjata në territorin e Republikës së Kosovës.
Në këtë pjesë gjithmonë kanë qenë pjesëtarët të ushtrisë së KFOR-it ukrainas, KFOR-it amerikan dhe ai turk, që shpesh e frekuentojnë këtë pjesë kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë, shkruan arbresh.info.
Këta kishin ardhur me një veturë të Policisë së Kosovës, ku tre policë të vijës së gjelbër të kësaj lagjeje ishin shprehur të shqetësuar duke thënë se kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë serbe.
Ata kishin vazhduar deri diku afër rrugës kryesore për Karaçevë të poshtme dhe ishin kthyer për fshatin Breznicë të Serbisë, fshat i banuar me shqiptarë.
Arbresh.info, ka provuar të kontaktoj më autoritetet nga KFOR-i, por nuk kanë dhënë një deklaratë ende për cenimin e territorit të shtetësisë së Kosovës.
Elezi: Ishte edhe goditje e KFOR-it dhe NATO-së si dhe kapaciteteve të tyre
Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke marrë informacione nga zyrtarët e trupave të armatosur ndërkombëtare, KFOR, rreth futjes së xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë të Kamenicës, ka thënë Drejtori për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, derisa ka komentuar rastin e hyrjes së xhandarmërisë serbe.
Elezi, ka shtuar se hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e republikës së Kosovës, është një provokim ushtarak i tyre.
“Hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, për ne, është një veprim ushtarak i cili ka për qëllim provokimin edhe politik dhe njëherit edhe frikësimin e qytetarëve të zonës kufitare. Veprime të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën, por reagimi i institucioneve të Kosovës nuk ka qenë serioz dhe sigurisht se këtë mos seriozitet, autoritetet e Serbisë e kanë shfrytëzuar duke bërë veprime të tilla të cilat mund të sjellin deri tek incidentet ndërkombëtare, ngase Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Elezi ka deklaruar se KFOR-i, ka mandatin dhe kompetencat për ruajtjen e kufirit, dhe rrjedhimisht ky veprim i xhandarmërisë serbe sigurisht që ishte cenim i sigurisë kombëtare.
“Po ashtu ishte edhe goditje e KFOR-it dhe NATO-së si dhe kapaciteteve të tyre. KFOR-si Amerikan dhe Turk kanë realizuar patrullime të përbashkëta me xhandarmerinë serbe në territorin e Kosovës, duke mos marrë në konsideratë dhe analizuar mjaftueshëm se këto veprime mund të bien në kundërshtim me mandatin dhe përgjegjësitë KFOR-it, njëherit këto aktivitete mund edhe të kenë inkurajuar xhandarmërinë serbe për këto veprimet e fundit. Inteligjenca serbe në vazhdimësi po mundohet të organizoj veprime provokuese pikërisht në kohën kur Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut”, ka deklaruar ai.
Sipas Elezit, mos efikasiteti i institucioneve relevante të republikës së Kosovës në ruajtjen e sovranitetit, determinon nevojën urgjente të reformimit të institucioneve kompetente.
Ai ka vlerësuar se ky rast duhet trajtohet edhe në drejtim të vendosjes para përgjegjësisë të gjithë akterëve kompetent.
“Banorët e kësaj ane me të drejtë ndjehen të kërcënuar dhe sigurisht edhe të frikësuar. Ky veprim pos qëllimeve të tjera, besoj se Serbia po tenton që të frikësoj këta banor me qëllim shpërnguljen e tyre përgjatë brezit kufitar para përfundimit të dialogut si dhe demarkimit të kufirit”, ka thënë Elezi.
Në pajtim me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës në Kosovë janë vendosur forcat ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-i, që kanë pasur për detyrë të ofrojnë një mandat të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën kohë t’i kontrollojnë dhe mbikëqyrin kufijtë e Kosovës dhe të mundësojnë hapësirë për vendosjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Në pajtim me këtë marrëveshje janë caktuar gjithashtu edhe zonat e sigurisë, zona ajrore e sigurisë dhe zona tokësore e sigurisë. Pika (d) thotë, zona e sigurisë ajrore është definuar si zonë prej 25 kilometrash dhe tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë dhe Malit të Zi.
Shala: Duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare
Ndërsa, njohësi i sigurisë, Drizan Shala, për arbresh.info ka thënë se një nga çështjet kryesore pas mbarimit të luftës është aspekti i sigurisë së qytetarit dhe siguria e kufirit.
Ai ka shtuar se zona e sigurisë tokësore është definuar si zonë prej 5 kilometrash, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë dhe Malit të Zi ( sipas asaj marrëveshje).
Shala, ka thënë se institicionet politike të Kosovës duhet që përmes një takimit katërpalësh “Kosovë/Amerikë/ NATO/ Serbi të definojë një rimodelim të kësaj marrëveshje e cila pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës ka pësuar ndryshime në terren bazuar në atë që Kosova fillojë të ngrit kapacitetet e saja të sigurisë përfshir këtu FSK-në, me mision të ri që derivon nga miratimi i ligjeve mbi FSK-në dhe që është edhe mbrojtja e territorit të Kosovës.
Shala, ka deklaruar për arbresh.info, se Qeveria dhe Presidenca duhet që të mbledhin Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Qeveria dhe Presidenca duhet që të mbledhin KSK ( Këshillin e Sigurisë Kombëtare ) duke adresuar çështjen dhe prodhuar një vendim politik dhe urdhër ushtarak për mobilizim të FSK-së që nëse përsëriten rastet e tilla, FSK-ja sipas misionit të saj, të veprojë pa iu nënshtru presionit apo servilizmit politik ndërkombëtar”, ka deklaruar njohësi i sigurisë, Drizan Shala.
Ibishi: Duhet të regjistrohet si incident shtetëror ky cenim
Në fund Shala ka shtuar se çdo qytetar i Kosovës duhet të mbrojnë territorin e Kosovës. Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, për arbresh.info, ka thënë se këto incidente po ndodhin në vazhdimësi.
“Në vazhdimësi po ndodhin këto incidente, ku xhandarmëria serbe po hyn në territor të Kosovës, mirëpo, pa asnjë konfirmim se realisht a e ka kaluar vijën kufitare, pra vija kufitare është tërhequr nga autoritetet e Kosovës edhe KFOR-i, i ka vendosur edhe tabelat me vijë. E kjo dukshëm shihet se ata kanë hyrë në fshatin Karaçevë. Ne e dimë se ende nuk është bërë demarkacioni me kufirin me Serbinë. Patrullimi të përbashkët me KFOR-in, kanë edhe në pjesën Veriore, edhe ka patrullime të palës serbe në pjesë kufitare, që ndodh në territorin serb, e jo në territor të Kosovës”, ka thënë Ibishi.
Ibishi, po ashtu ka kritikuar edhe autoritetet kosovare të sigurisë që nuk po bëjnë aq sa duhet në mbrojtje të territorit.
“Kritika ime për autoritetet tona, është se ende nuk po konstatojnë që a është bërë shkelej nga xhandarmëria serbe, do të thotë hyrja e paautorizuar e tyre e njëkohësisht edhe shqetësimet e qytetarëve të Karaçevës. Pra sektorit i sigurisë dhe policisë, pse nuk e konstatojnë se është bërë një shkelje, mirëpo kjo po mbetet vetëm diskutim në medium e debate të ndryshme. Kjo nuk është hera e parë, që po ndodhë e autoritetet tona vetëm po dalin me disa deklarata të paqarta se a ka shkelje apo hyrje të paautorizuar të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, apo sikur që ka deklarata edhe nga KFOR-i, edhe nga autoritetet serbe ‘kinse’ kjo po ndodhë në territorin e Serbisë, e jo në territorin e Kosovës, e autoritetet tona, po hezitojnë të deklarohen se a ka pasur shkelje, pra hyrje të paautorizuar, e cenim nga pala serbe”, ka shtuar tutje Ibishi.
Sipas Ibishit në këto raste ekziston kërcënimi ndaj territorit të Kosovës, e automatikisht duhet të reagojë sektori i sigurisë, në bashkëpunim me KFOR-in.
“Sepse është autoriteti i parë që i përgjigjet çdo lloj autoriteti apo çdo lloj cenimi integriteti të territorit të Kosovës, nga jashtë. Duhet të regjistrohet si incident shtetëror ky cenim, sepse ka shkelur sovranitetin territorial, e kështu autoritetet tona të sigurisë po i ikin përgjegjësisë”, ka thënë njohësi i çështjeve të sigurisë,Nuredin Ibishi.
Sipas këtyre ekspertëve, kjo po shkon prej incidentit në incident, ndërsa autoritete tona po zotohen se do bëjnë diçka, por nuk ndërmarrin masa.
Ata vlerësojnë se kjo është strategji e planifikuar e institucioneve serbe, e kjo nuk është e rastësishme, sepse sistematikisht po ndodhë, dhe tregon papjekuri të sistemit shtetëror./E.Ballazhi/arbresh.info/
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Kurti sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë s...
Konjufca sot pret në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonis...