U bë virale me këngën “Zemër” të Dhurata Dorës| Këngëtarja rumune premton se do e mësojë gjuhën shqipe

16:25 | 12 Maj 2023
K.B

Kjo është vizita e saj e parë në Kosovë.

Këngëtarja nga Rumania, Andreaa Vilcan është mahnitur me mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

Për të, Kosova dhe njerëzit këtu janë mbresëlënës.

Për portalin Arbresh.info Vilcana tregon arsyen pse ka ardhur në Kosovë.

Ajo thotë se ka pasion muzikën shqipe dhe është bërë virale duke kënduar hitin e Dhurata Dorës “Zemër”.

“Kjo është hera e parë që vij në Kosovë dhe ky vend është mahnitës, njerëzit dhe vendi janë mbresëlënës. Ende s’kam zbuluar gjithçka në këtë vend, por dua që në të ardhmen të vij sërish sepse thjesht e adhuroj këtë vend. Mendoj se njerëzit këtu janë të ngjashëm me ata të vendit tim, janë të shoqërueshëm dhe të mirë. Edhe njerëzit në vendin tim janë shumë të dashur me çdokënd dhe kënaqen duke qeshur”, tregon ajo.

Vilcan tregon historinë e saj sesi është njohur përmes rrjeteve sociale më piktoren nga Kosova Argenita Fetahu, të cilën ajo e konsideron si motrën e saj.

Fetahu kishte qenë arsyeja që rumuneje ka filluar të këndoi shqip. Ajo tregon pse pikërisht kishte zgjedhur të këndonte këngën “Zemër” të Dhurata Dorës.

“Unë takova një shoqe që vjen nga Kosova, shoqe e cila u bë sikur të jetë motra ime. Ajo është arsyeja pse unë fillova të këndoj në gjuhën shqipe. Kur e takova atë, unë thjesht e ndjeva lidhjen time me këtë vend, është e çuditshme por unë u ndjeva menjëherë sikur të kisha qenë edhe më parë në Kosovë, unë u ndjeva sikur ta kisha familjen në këtë vend. Unë e zgjedha këngën “Zemër” sepse e di që kjo fjalë është sa e rëndësishme po aq edhe e përdorur shpesh në këtë vend. Kështu që mendova se kjo është një mundësi e mirë t’i tregoj shqiptarëve se sa shumë jam e vëmendshme për çdo gjë që bëhet këtu dhe në përgjithësi për njerëzit dhe vendin”, thotë ajo.

Vilcanna tregon sesi e ka mësuar këngën, duke shtuar se kishte marrë shumë komplimente për theksin e ngjashëm me të gjuhës shqipe.

“Është interesante sepse këtë këngë e kam njohur dhe mësuar që prej shumë vitesh, por nuk dija si t’i shqiptoja fjalët, meqenëse nuk e di gjuhën shqipe. Kështu që e kërkova tekstin e këngës në Google dhe e mësova këngën, me aq sa munda. Kur provova ta mësoj tekstin, nuk ishte shumë e vështirë dhe ishte interesante, madje, çdokush më thoshte se “Oh, theksi yt është shumë i ngjashëm me të gjuhës shqipe dhe nëse nuk do ishim nga ky vend, nuk do e dinim se nuk je nga Kosova”. Pra, ishte interesante por jo aq e vështirë për mua, përkundër pritjeve të mia”, shtoi ajo.

Këngëtarja nuk preferon që ta këndoj një këngë pa ja mësuar kuptimin. Për të, është e pavlerë interpretimi i një kënge në qoftë se nuk e ndjen tekstin e saj.

“Natyrisht, njëherë më duhej ta kuptoj kuptimin e këngës, sepse nuk mund ta këndoj atë pa e ditur se çka kënga thotë. Çdoherë kur dua ta këndoj një këngë e përkthej fillimisht kuptimin dhe e mësoj atë, sepse nuk mund të këndoj mirë dhe me zemër, pa e ndjerë atë. Në të kaluarën kur kam provuar të këndoj diçka në gjuhë të huaja, ka pasur raste kur pasi e kam marrë vesh kuptimin e këngës, nuk e kam kënduar atë, meqë nuk e kam ndjerë.”

Ajo e pëlqen shumë muzikën shqipe, pa të cilën, nuk e fillon ditën.

“Unë e dua muzikën shqiptare dhe kam një listë timen personale të këngëve shqipe. Çdo ditë kur zgjohem nga gjumi dhe përgatitem për punë, dëgjoj muzikë shqip. Do të doja të bashkëpunoja në ndonjë këngë me ndonjë nga artistët tuaj sepse e dua muzikën që bëni ju. Përafërsisht është e njëjta me muzikën rumune, por e juaja është më ritmike dhe bashkëpunimi i parë që do doja ta bëja është Noizy, dhe më pas vijnë të tjerët”, shprehet ajo.

Për mundësinë e futjes në tregun muzikor shqiptar, Vilcan mendon që njëherë duhet ta mësojë gjuhën shqipe.

“Nuk dua të zbuloj shumë gjëra por i kam disa plane. Unë do filloj të mësoj shqipen në mënyrë që të mësoj më shumë se që momentalisht di. Ky është qëllimi im dhe të tjerat do i zbulojë koha.”

Në fund, ajo na premtoi se kjo nuk do të jetë vizita e saj e fundit dhe se herën tjetër kur ta vizitojë Kosovën do të flas gjuhën shqipe rrjedhshëm./Arbresh.info/Diellza Gashi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme