Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është institut që merret me fushën e meteorologjisë, hidrologjisë, klimës, ajrit, ujit dhe tokës.
Përveç objektit të stërvjetruar të stacionit meteorologjik në Ferizaj, aty ka edhe mungesë të punëtorëve.
Besim Aliu, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në një intervistë për arbresh.info tha se në stacionin meteorologjik në Ferizaj i ka të gjitha aparaturat, por, që mungojnë kushtet njësoj sikurse në stacionet tjera.
“Ky stacion meteorologjik punon në kuadër të institutit meteorologjik të Kosovës, bëhen të gjitha matjet e elementeve dhe dukurive meteorologjike. Kushtet sikurse edhe në të gjitha stacionet tjera, nuk janë për tu lavdëruar, për arsye se në këtë stacion nuk është investuar sa i përket inventarit dhe mjetet tjera përcjellëse. Nuk është investuar asgjë që nga paslufta, kurse me aparaturë qëndrojmë mirë, sikurse edhe stacionet tjera meteorologjike”, tha Aliu.
Aliu tregon se brenda objektit të stacionit meteorologjik në Ferizaj, janë vetëm dy punëtorë të cilët bëjnë parashikimin e motit dhe punët tjera.
Ndërsa matjet ai thotë se fillojnë nga ora 07:00 mëngjes, kurse përfundojnë në ora 14:00.
“Këtu bëjmë matjen dhe vrojtimet meteorologjike, pastaj bëjmë parashikimin e motit nga ky stacion meteorologjik, dhe të gjitha punët tjera që i takojnë këtij stacioni. Brenda objektit jemi dy punëtorë në këtë stacion të punëtorëve, punëtori tjetër bënë matjet gjatë vikendit, kurse unë punoj që nga mëngjesi deri në 16:00. Në ora 14:00 janë matjet e fundit, ndërsa matjet fillojnë në ora 07:00”, deklaroi Aliu.
Pavarësisht se objekti në të cilin bëhen këto matje, është i shkatërruar, Aliu thotë se qeveria nuk ka investuar asgjë në aspektin material.
Kurse inventarin ai thotë se e ka sjellë vet nga shtëpia e tij.
“Në këtë stacion meteorologjik është interesant se qeveria nuk ka investuar asgjë, në aspektin material nuk ka investuar asgjë. Stacioni kulmin e ka të dëmtuar, pastaj inventari është krejt çka kam sjell nga shtëpia ime, nuk ka diçka që ka pru qeveria, mirëpo shpresojmë në qeverinë e re”, tha Aliu.
IHMK-ja, ai thotë se ka stacione meteorologjike që veprojnë në qytete të ndryshme të Kosovës, nga të cilat thotë se i marrin të dhënat vazhdimisht në mënyrë automatike.
“Stacione meteorologjike, kemi në Pejë, Prizren, Junik, Gjakovë, Kamenicë, Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë. Janë pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës. Kemi stacione edhe manuale edhe stacione automatike. Nga stacionet automatike ne I marrim të dhënat vazhdimisht, sepse ato stacione punojnë 24 orë, ato stacione gjenden në Pejë, Gjakovë, Prizren, Junik, Prishtinë, Kamenicë dhe në Tugjeç”, tha Aliu.
Ai po ashtu për arbresh.info tregoi edhe aparaturat me të cilat bëhen matjet meteorologjike.
“Këtu janë të gjitha aparaturat që bëjnë matjet dhe vrojtimin e elementeve dhe dukurive meteorologjike, siç janë termometri, barografi, barometri, heliografi, anemometri, shimatësi domethënë të gjitha aparaturat janë të vendosura në këtë stacion meteorologjik”, tha Aliu.
Aliu tha se pas matjes së temperaturave grumbullohen të dhënat pastaj dilet me parashikime.
E, ato parashikime ai thotë se munden me qenë të sakta deri në tre ditë, ndërsa 7 deri në 10 ditë saktësia e parashikimeve bie.
“Parashikimi i saktë I motit mundet me qenë deri në tri ditë, mirëpo ne parashikimin e bëjmë një javorë, edhe 10 ditë, parashikimi tre ditë është më I saktë, ndërsa ai javor përqindja bie, kurse parashikimi 10 ditësh ka përqindje pak më të vogël”, tha Aliu.
Po ashtu gjatë kësaj interviste, parashikuesi i motit Besim Aliu, për arbresh.info shpjegoi se si behët matja e temperaturave, po ashtu edhe funksionimi i disa prej aparaturave me të cilat bëhet kjo punë.
Të cilat ishin:
Shtëpiza meteorologjike e cila ne brendi ka katër termometra, njëri nga termometrat është ai momental me të cilën matet temperatura e momentit, termometri ordiner dhe ai i lagësht. Aliu thotë se me këtë termometër përveç se masin temperaturën me këtë ai thotë se fitohet edhe pika e vesës dhe lagështinë relative të ajrit. Shtëpiza është me ngjyrë të bardhë për t’i reflektuar rrezet e diellit.
SHI MATËSI aparaturë e cila Aliu thotë se matën reshjet e shiut, nga ora shtatë e mëngjesit. Ky mjet që gjendet në këtë objekt ai thotë se përbëhet nga tri pjesë. Përveç reshjeve të borës, ai thotë se me të bëhen edhe matjet e reshjeve të borës, të cilat maten me metër nga tre pjesë të cilat lexohen në centimetër, pastaj në këto tre vende ku i kemi bë matjet dhe i pjesëtojmë me tre dhe i nxerrim mesataret e trashësisë së borës për atë ditë që ka pasë borë.
SHTËPIZA METOROLOGJIKE e cila përbëhet nga termografi dhe higrografi, për këto Aliu thotë se shërbejnë për matjen e temperaturës dhe për matjen e lagështisë së ajrit, ku pa ndërprerë regjistrohen temperaturat për 24 orë dhe në fund merren këto dhe bëhen krahasime ose analiza.
Gjeotermometri: ai thotë se e mat temperaturën e tokës. Quhet termometër ekstrem, sepse mat temperaturën ekstreme. Është edhe termometri që gjendet 1 metër nën tokë dhe me të matet temperatura vetëm një herë në ditë. Ndërsa këto tjerat Aliu tregon se maten tri here në ditë.
Kurse Anemometri ai thotë se është instrument që mat shpejtësinë dhe drejtimin e erës. Pas erërave të forta që kanë qenë këto ditë Aliu tregon se kanë regjistruar deri në 29 metra në sekond në këtë pikë shpejtësinë e erës. Anemometri është 10 metra nga toka lartë dhe matet shpejtësia e erës tre here në ditë. Këto matje quhen edhe matje klimatologjike.
Ndryshe, përveç përshkrimeve të aparaturave që gjenden në këtë objekt Aliu po ashtu na tregoi edhe parashikimet e sakta tre ditore në të gjithë Kosovën.
Veprimtaria e këtij instituti ka filluar që nga viti 1923 me matjet e para në fushën e hidrologjisë dhe më pas më 1926, fillojnë edhe matjet meteorologjike.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës operon nën administrimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht është pjesë përbërëse e Agjencionit për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës, i cili agjencion vepron nën administrimin e kësaj ministrie./E.Haxhiu/arbresh.info/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...