Google ADS

Shtohet edhe ndikimi i Ankarasë krahas Beogradit, turqit ‘pro’ Osmanit, me kushte ndaj Kurtit

11:12 | 17 Mars 2021
arbresh.info

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, dhe pretendentja për presidente Vjosa Osmani e konsideronin të kryer përkrahjen nga minoritetet për të formuar qeverinë, rrjedhimisht edhe presidentin.

Por, takimet me minoritetet i patën  më të vështira se me oponentët politik të partive më të mëdha, shkruan arbresh.info.

Ndikimit të Beogradit zyrtar përmes Listës Serbe, i është shtuar edhe ndikimi i Ankarasë zyrtare përmes dy përfaqësuesve turq, shkaku i ambasadës në Jerusalem.

Lista Serbe nuk ishte e qartë publikisht se çfarë konkretisht i kërkuan Albin Kurtit, përveç se shprehën gatishmërinë për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët e Kosovës dhe se “të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.

Nuk u specifikua nëse është folur për rezultatin e zgjedhjeve dhe akuzat për manipulim me vota, apo ministritë që i takojnë. Tradicionalisht serbët kanë drejtuar Ministrinë për Kthim dhe Komunitete.

Nuk u përmend nëse është folur edhe për çështjen e “Zajednicës”, së cilës Albin Kurti i referohej derisa ishte në opozitë. Implementimi i marrëveshjes për  themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian.

Albin Kurtit po i bëhen problem edhe votat e dy përfaqësuesve turq në Kuvendin e Kosovës.

Takimi i tyre me Vjosa Osmanin e Albin Kurtin nuk i definoi pakënaqësitë, dhe Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke, pret që deri të premten të ketë edhe diskutime tjera në lidhje me votën për qeverinë.

Ata po kërkojnë një post ministror, derisa bëhet e ditur se në takim është diskutuar edhe një lidhje me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Ne si dy deputetë do të jemi pranë që të ketë zgjidhje të përbashkët me BE-në, OKB-në, vendet tjera dhe Turqinë në lidhje me ambasadën”, deklaroi Damka.

Izraeli njohu Kosovën si shtet të pavarur më 4 shtator 2020, gjatë një takimi të palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë, të ndërmjetësuar nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Së fundi është hapur edhe zyrtarisht ambasada e Kosovës në Jerusalem, veprim që u përcjellë me kritika nga Bashkimi Evropian dhe Turqia.

“Zotimi në fjalë i Kosovës është shkelje e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht i rezolutave të OKB-së të miratuara për këtë çështje”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 mandate, dhe pakicat kanë 20 mandate. Shumica e përfaqësuesve minoritarë kanë shprehur gatishmërinë për votimin e qeverisë, por kuorumi për presidentin ende kërkon kohë të sqarohet.

Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara, dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat./arbresh.info/

Të ngjashme