Google ADS

Rruga e vështirë e Shqipërisë drejt BE-së, sa pritet të zgjasin negociatat?

08:19 | 20 Korrik 2022
arbresh.info

Hapja e negociatave së Shqipërisë për anëtarësim në BE, nga njohësit e çështjeve politike po cilësohet si një lajm i mirë, por, kjo rrugë nuk po shihet edhe aq e lehtë nga analistët politik të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Ridvan Berisha thotë se ky është lajm i mirë, por, do të dëshironim pa masë që edhe Kosovës të jetë pjesë, së paku e një vendimmarrjeje për liberalizim vizash.

“Po natyrisht se ky është lajm i mirë ashtu sikundër që këto lajme përfaqësojnë premtimin për vijimin e reformave në zbatim ligji e në secilin segment jete, lajm i mirë për evropianizimin e Ballkanit. Nga perspektiva jonë do të dëshironim pa masë që edhe Republika e Kosovës të jetë pjesë, së paku e një vendimmarrjeje për liberalizim vizash. Për fund, sa më shumë të jetë prezentë pa hile mendësia e mirëfilltë evropiane në të gjithë rajonin, kjo përkthehet në shpresë që popujt t’i aviten më shumë paqes, bashkëpunimit dhe çeljes së çdo ure për të respektuar me koncept barazie njëri tjetrin”, deklaron ai.

Sipas analistes, Afërdita Maliqi, hapja e negociatave shënon një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi.

“Hapja e negociatave shënon një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi. Shqipëria e ka merituar që moti, pasi i ka plotësuar kushtet të jetë në familjen evropiane, BE. Ky hap e ndihmon edhe Kosovën, sepse Shqipëria është një zë i fortë për ne”, shprehet Maliqi për arbresh.info

Përkushtim më i madh për Kosovën, kërkohet edhe nga gazetari Ridvan Berisha.

“BE do të duhej të ndërmarrë vendime të mëtejme pa burokraci të pafundme sidomos sa i takon Kosovës në mënyrë edhe shteti ynë, të mos trajtohet ndaras e me kushte selektive, në rrugën që do të jetë e gjatë deri te anëtarësimi në BE”, thotë Berisha.

Ndryshe, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të martën kanë filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Negociatorët nga Shqipëria në krye me kryeministrin Edi Rama, janë pritur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyer. Kjo ditë është cilësuar si ditë historike për të dyja shtete.

Në fjalën e tij kryeministri shqiptarë, Edi Rama nga Brukseli është shprehur entuziast për shtetin që ai e përfaqëson.

“Ky është vetëm fundi i fillimit të një rruge drejt BE”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë se, hapja e negociatave është një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit, që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Në këtë rast Komisioni Evropian do të dërgojë ekipe në Shqipëri që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore atje, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre në mënyrë që të bëhet një reformë, ku do të bëhet edhe përafrimin i ligjeve të Shqipërisë me ato të BE-së. Së bashku me Shqipërinë fillimin e negociatave e ka bërë sot edhe Maqedonia e Veriut./Xhejlane Haliti/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme