Pse partitë politike po ngurrojnë të prezantojnë kandidatët e tyre për zgjedhjet komunale?

08:13 | 19 Maj 2021
S D

Kanë mbetur edhe pesë muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa partitë politike ende nuk kanë prezantuar kandidatët e tyre.

Kjo sipas njohësve të çështjeve politike në vend do t’u kushtojë partive politike me votë në tetor, kur edhe do të mbahen zgjedhjet komunale, shkruan arbresh.info

Njohësi i çështjeve politike, Fatmir Sheholli, vlerëson se mosprezantimi i deritashëm i kandidatëve për kryetarë të komunave nga ana e subjekteve politike mund të paraqes konfuzion tek votuesit.

Sheholli thotë se do ishte më mirë që së paku gjashtë muaj para zgjedhjeve, partitë politike t’i prezantojnë kandidatët e tyre për komuna.

“Përveç AAK-së, partitë e tjera po hezitojnë ose nuk kanë ende plan për kandidatët potencial. Këto vonesa krijojnë konfuzion tek qytetarët dhe krijojnë hezitim.

Është shumë më mirë që kandidatët të kuptohen së paku 6 muaj më herët”, shprehet Sheholli për arbresh.info

Megjithatë, ndryshe nga Sheholli mendon analisti tjetër politik, Fitim Salihu.

Ai, thotë se vonesa në prezantimin e kandidatëve ka pasur edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Salihut konsideron se koha më e mirë për prezantimin e kandidatëve komunal do ishte tre muaj para zgjedhjeve.

“ Nuk besoj se do të ndikojnë negativisht vonesat. Edhe në zgjedhjet e mëparshme lokale, shumica dërrmuese e kandidateve për kryetare komunash janë prezantuar pas verës, në dy-tre muajt e fundit. Besoj që kjo kohë është e mjaftueshme për elektoratin që ta bëjë zgjedhjen e tij se cilit kandidat do ia besojë udhëheqjen e komunave gjegjëse”, ka thënë Salihu për arbresh.info

Ndryshe, zgjedhjet lokale në territorin e Republikës së Kosovës do të mbahen në muajin tetor.

Ndonëse kanë mbetur edhe pak muaj deri në fillimin e fushatës për këto zgjedhje, partitë politike, më përjashtim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk i kanë prezantuar kandidatët potencial.

Ndërkohë, disa nga partitë kanë filluar zgjedhjet e brendshme dhe duket se kjo mund të jetë edhe arsyeja e vonesës së prezantimit të kandidatëve./V.Selimi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme