Ekipi i portalit arbresh.info përsëri del në teren me Policinë e Trafikut, mirëpo kësaj radhe me njësitin për trafikun rrugor brenda qytetit, duke përcjell nga afër punën e tyre.
Kapiteni, Qamil Behrami, bashkë me kolegun e tij filluan punën në teren në ora 07:00 të mëngjesit.
Ne së bashku me dy zyrtarët policorë u akomoduam në veturën e policisë për tu nisur në rrugën ‘Rexhep Luci’ në lagjen ‘Qafa’ në Prishtinë.
Kapiteni Ahmeti, tregon për arbresh.info se shkeljet e rregullave të komunikacionit janë në numër të madh . Sipas tij, krahasuar me vitet e kaluara qytetarët nuk është se janë vetëdijesuar shumë.
Tutje vazhdojmë tek rruga “Bill Clintoni”, ku cak i policisë ishin taksistët kundërvajtës, që ndalojnë taksin në traken për autobusët.
Kapiteni Behrami tregon se si edhe ngasësit e autobusëve kryejnë shumë shpesh kundërvajtje, dhe një rast konkret ndodhi tek stacioni i autobusëve për trafikun urban, ku një autobus kishte ndaluar tek stacioni, mirëpo për të u kthyer në anën e majtë ai duhet të hyjë në dy vija të plota duke rritur kështu mundësinë për aksident.
“Ku është autobusi i ndalen, me shenjë për dalje të autobusëve, është jashtë çdo rregulle, çdo norme, ky tash është i obliguar me i pre dy vija t ‘plota dhe me u kthy në të majtë për të hy rrugën ‘Robert Doll”. A e shikoni qysh e pengon komunikacionin?… Është pengesë e madhe, ja aksidenti i afërt. Kjo është gabim e rregulluar prej Kuvendit Komunal, duhet gjithqysh me ndërmarr masa n’këtë stacion me bart ma lartë, me pas mundësi ai autobusi që mu radhitë me kohë dhe me rregull dhe pa pengu pjesëmarrësit tjerë. Qe edhe ky furnizohet me mall, e len në skaj të rrugës i ndez katër treguesit dhe mendon që ka t ‘drejt mu ndal”, tregon rreshteri Behrami.
Ai, është i vetëdijshëm se edhe bizneset kanë nevojë për furnizim, mirëpo sipas tij, duhet që furnizimi të bëhet sipas rregulloreve të Kuvendit Komunal që furnizimi bëhet para orës 7 mëngjes ose në mbrëmje, kur nuk ka komunikacion të dendur dhe se kompania, e cila furnizohet me mall duhet të ketë lejen dhe të dijë se kur mund të furnizohet e kur jo.
Pastaj ekipi ynë bashkë me zyrtarët policorë vazhduam tek taksistët kundërvajtës, të cilët ishin të parkuar në shiritin e autobusëve. Me të zbritur nga vetura, policia filloi aksionin kundër taksistëve kundërvajtës.
Kapiteni Qamil Behrami së bashku me policin, Blerim Gashi nisën edhe shqiptimin e gjobave.
I pari që ra pre e dënimit, ishte vozitësi nga një kompani e taksive në Prishtinë.
Gjoba për këtë lloj të kundërvajtjes ”Parkim të parregullt” ishte 40 euro, e cila nëse paguhet brenda 15 ditëve zbritet në 20 euro gjobë.
Një nga taksistët i cili preferoi që emri i tij të mbetet anonim, për arbresh.info ka treguar se gjobat të cilat shqiptohen ndaj tyre për shkak të parkimit të parregullt nuk paguhen nga kompania për të cilën punojnë, por ata detyrohen që këto gjoba t’i paguajnë nga xhepi i tyre.
Por, policia e trafikut ankohet se kundërvajtësit numër një për pengimin e zhvillimit të trafikut rrugor në kryeqytet, janë taksitë legalë dhe ata ilegalë.
Sipas policisë taksistët jo legalë janë ndër problemet kryesore me të cilat përballen Policia e Trafikut çdo ditë.
Në anën tjetër, taksistët të cilët u gjobitën si pasoj e parkimit në vend jo të lejuar, thonë se ata mund të parkojnë veturat të cilat ngasin tek stadium ‘Ramiz Sadiku’, tek restaurant ‘Amadeusi’ në lagjen ‘Arbëria’, Fakulteti Teknik dhe të Rrethi i Fontanës në Ulpianë.
Mirëpo me zgjerimin e këtij biznesi , sipas tyre këto pika nuk janë të mjaftueshme, pasi që numri i taksive është i madh.
Ekipi ynë vazhdoi punën në teren, ku sapo u akomoduam në veturë pamë një veturë të tipit “Pick up”, i cili kreu kundërvajtje në trafik duke ndërruar shiritin e vozitjes në mënyrë të palejueshme.
Policia u vu në ndjekje të kësaj veture. Pas ndalimit të veturës, pasoi edhe gjobitja e shoferit.
Kapiteni Qamil Bajrami flet edhe për taksitë që parkohen te ‘Hotel Grandi’.
Ai thotë se ata kanë leje nga Komuna e Prishtinës që të ndalen aty, mirëpo nëse i referohemi ligjit sipas tij kjo është e ndaluar me ligj, pasi që nuk kanë të drejtë të ndalojnë veturat mes dy semaforëve.
Qamil Behramithotë se edhe pse ndalimi i këtyre veturave në këtë vend është në kundërshtim më ligjin, nuk mund ti gjobisin ata pasi që kanë leje nga komuna përkatëse.
Policia na dërgoi edhe tek Stacioni i Autobusëve për të parë se sa shumë taksi parkohen aty dhe bllokojnë hyrjen e autobusëve në stacion.
Megjithatë, me mbërritjen e policisë, të gjitha veturat që ishin parkuar aty, u larguan.
Por, polici Blerim Gashi thotë se kjo gjë është e përditshme këtu. Sipas tij, këta taksistë mund t’i gjesh aty në çfarëdo ore.
Në vazhduam në një pikë tjetër kontrolli, dhe ndaluam tek “Rrethi i Flamurit”.
Vetura e parë që u ndalua ishte thjesht për një kontroll rutinore, dhe vozitësi i veturës ishte i pajisur me të gjitha dokumentet, kishte të vendosur rripin e sigurimit dhe dritat i kishte të ndezura.
Kapiteni Bajrami tregon se cilat kundërvajtje i parasheh ligji për trafikun rrugor, duke filluar prej: Hyrjes në semaforin e kuq, tejkalimet e palejueshme, mos pajisja me goma të dimrit, tejkalimi i shpejtësie, përdorimi i telefonave, etj.
Ai, thekson se nuk janë vetëm ngasësit e veturave që gjobiten pasi që një numër i madh i gjobave shqiptohet edhe ndaj këmbësorëve që nuk i respektojnë rregullat.
Kurse një ndër shkaktarët kryesorë që ndodhin aksidentet në trafik konsideron se është edhe mungesa e shenjave të trafikut nëpër rrugët e kryeqytetit.
Qamil Behramii për arbresh.info bën të ditur se në bazë të të dhënave nga Ministria e Infrastrukturës rreth 120 mijë automjete marrin pjesë në komunikacionin e Prishtinës për çdo ditë.
Ai bën apel tek qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të jenë të vetëdijshëm sepse mosrespektimi i rregullave sjell deri tek aksidentet dhe se rrezikojnë veten e tyre dhe të tjerët.
N’Trafik me Policinë e Kosovës është emision i veçantë që realizohet nga arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ky emision ka për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion, këmbësorëve dhe shoferëve, në lidhje me respektimin e rregullave të komunikacionit.
Gazetare: Arditë Shkodra
Kamera: Safet Hyseni
Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në vlerë mbi ...
Kushtetuesja e Speciales hudh poshtë referimin e Thaçit lidh...
LDK: Vazhdojnë përgatitjet drejt fitores së madhe!
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...