Google ADS

Për një javë në Kosovë, 250 kamionë sollën 1.6 milionë euro mallra serbe

09:03 | 9 Prill 2020
arbresh.info

Një javë më parë, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka larguar tarifës doganore 100% ndaj shtetit serb duke miratuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

E gjatë kësaj jave në Kosovë ka hyrë mallra serb në vlerë 1.6 milionë euro.

Derisa numri i kamionëve ka qenë mbi 250.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ai ka thënë saktësisht së gjatë kësaj periudhe nga Serbia kanë hyrë 263 dërgesa.

“Deri tani kemi 1.6 milion import nga Serbia, kemi pasur 263 dërgesa nga ky shtet”, ka thënë Stavileci.

Stavileci ka treguar edhe për llojet e produkteve të importuara.

“Derisa  produkte ushqimore, industria kimike dhe industria e ndërtimit janë produktet me te importuara”, ka shtuar ai.

Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të marrë mbrëmjen e 31 marsit, Serbia obligohej  që emërtimet në certifikatat fitosanitare dhe certifikatat veterinare, bashkë me dokumentet tjera përcjellëse  të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

E këtë vendim sipas Doganës së Kosovës e ka shteti serb e ka respektuar në përpikmëri.

“Të gjitha dërgesat deri tani ju kanë referuar Kosovës në bazë të vendimit të Qeverisë si dhe emërimit ndërkombëtar të Kosovës në aspektin tregtar”, ka thënë për arbresh.info,  zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ndërsa vetëm në ditën e parë të heqjes së taksës 100% ndaj Serbisë, në Kosovë nga ky shtet kanë hyrë 16 kamionë.

“Gjatë ditës së parë, 1 prill kemi pasur 16 maune në procedura të zhdoganimit ku një nga ato është ndaluar dhe kanë filluar procedurat për kthim pasi nuk e ka dorëzuar certifikatën fitosanitare e cila nuk ka qenë në bazë të parametrave të vendimit dhe kushtetutës”, kishte thënë Stavileci.

Ndërsa për dy ditë vlera e mallit të importuar ka shkuar në gjysmë milioni euro.

“Derisa sot (2 prill)  në procedura te zhdoganimit janë 84 dërgesa me origjine nga Serbia ku vlera e tyre deri në ketë kohë ka arritur në rreth 500.000 mijë euro”, ka shtuar Stavileci.

Mbrëmjen e 31 marsit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Gjatë konferencës ku u bë i ditur vendimi u tha se ai do të mbetet në fuqi deri më 15 qershor ku edhe do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm i mbarëvajtjes së vendimit.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi sa i përket zbatimit, pra sa i përket implementimit. Me këtë rast, nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj. Pra në mënyrë periodike, por së paku një herë në muaj, do të rishikohen duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët tanë doganorë se si eci puna e reciprocitetit”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës u prit me reagime të ndryshme.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj i cili edhe kishte vendosur këtë taksë, vendimin për largim të sa e kishte quajtur leje për ripushtim ekonomik e tregtar në Kosovë nga Serbisë e Bosnjës.

“Heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë. Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi  përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërsa Ambasada Amerikane në Kosovë është shprehur se është kudër krijimit të barrierave të reja duke iu referuar vendosjes së reciprocitetit

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në njoftim.

Tarifa doganore 100% për shtetin serb ishte vendosur në nëntor në 2018-es nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas këtij vendimi kishte rënë në mënyrë drastike importi nga Serbia, ky shtet jo që kishte humbur primatin për eksportuesin më të madh në Kosovë por kishte rënë në kuotën minimale. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme