Ngritja e çmimit të biletave, aeroporti i Prishtinës planifikon të rrisë numrin e kompanive dhe linjave të reja

08:02 | 2 Gusht 2021
arbresh.info

Mungesa e kompanive ajrore në Kosovë,  është shkaktari kryesor i shtrenjtimit të biletave gjatë sezonës verore, atëherë kur edhe fluksi i udhëtarëve rritet, për shkak të pushimeve të bashkatdhetarëve të cilët vijnë për të kaluar pushimet në vendlindje.

Megjithatë, për të evituar këtë problem, Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës është duke u përpjekur të sjell edhe kompani të tjera ajrore, për të rritur konkurrencën, e që do të ndikonte në çmim të biletave, shkruan arbresh.info.

Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar  “Adem Jashari” në Prishtinë për arbresh.info pohojnë se pavarësisht çmimit të biletave që kanë kompanitë ajrore, udhëtarët paguajnë edhe taksën prej 20 eurosh për shërbimet në aeroport.

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, thotë se pavarësisht çmimit të biletave udhëtari paguan taksë prej 20.53 për shërbime, dhe për këtë aeroporti është duke bërë përpjekje që të sjellin sa më shumë kompani në mënyrë që të rrisin konkurrencën.

“Pavarësisht çmimit të një bilete udhëtari paguan 20.53 taksen për shërbime. Ne jemi duke punuar vazhdimisht që të sjellim kompani të reja dhe linja të reja në mënyrë që të rrisim konkurrencën në treg dhe kjo sadopak të ndikoj në ulje të çmimit të biletave”,  është shprehur Gara.

Agjencitë turistike: Ne nuk i rrisim çmimet e biletave, por kompanitë  ajrore

Ndërkohë, agjencitë turistike ankohen se kanë humbje të mëdha jashtë sezonës dhe për këtë rriten edhe çmimet e biletave gjatë sezonit veror.

Ata pohojnë se ndihen të lënë pas dore dhe pa përkrahje institucionale.

Hyrie Aliu nga agjencia “Zone Travel, në Lipjan, për arbresh.info, pohon se në kohën e sezonës gjatë muajve të  verës rriten kërkesat dhe për këtë rriten edhe çmimet e biletave.

Por, sipas saj, gjatë muajve të tjerë jo sezonal kompanitë përballen me humbje.

Aliu shprehet se rritja e çmimit të biletave vjen direkt nga kompanitë e fluturimeve dhe jo nga agjencitë.

“Zakonisht sezonave të verës e dimë që janë pushimet e mërgimtarëve, po flasim për Zvicër dhe për Gjermani. Kur është fluksi më i madh, çmimet gjithmonë janë më të larta. Ne si agjencione nuk i rritmi çmimet, po janë kompanitë e fluturimeve ato që i rrisin”, pohon ajo.

Madje, ajo arsyeton kompanitë ajrore, duke shtuar se ato përballen me humbje jashtë sezone dhe për këtë detyrohen që gjatë senozit të fluksit të madh të udhëtarëve të bëjnë rritje të çmimit të biletave, shkruan arbresh.info.

 

“Normal me e rezervu biletën dy muaj përpara, po flas për sezonin Korrik-Gusht, gjithmonë janë më lirë, por sa më shumë që mbushen vendet gjithmonë çmimet janë ma të larta”, tregon Aliu.

Ajo thotë se vazhdimisht kanë ankesa nga klientët rreth çmimit të biletave.

“Ankesa kemi çdo herë, pothuajse çdo ditë pyesin pse janë çmimet kaq shtrenjte, e ju themi se është sezona, është fluksi më i madh, janë kërkesat ma të mëdha. P.sh kompania “Viz Air”, kompani bullgare, zakonisht ajo operon në Shkup, tash që një kohë ka fillu edhe në Prishtinë, ajo zakonisht çmimet fillestare i ka shumë lirë, por shkojnë tu u ngrit”, thotë Aliu.

Edhe Shefki Rashiti nga agjencioni “Butrinti” në Gjilan, për arbresh.info tha se ky sistem është tash e 20 vite dhe se agjencionet u binden kompanive të cilat kanë kontrata me aeroplan.

“Ky sistem është tash e 20 vite, ku gjatë sezonës korrikut dhe gushtit. Çmimi i biletave varion nga vendet në të cilat vinë pasagjerët, p.sh Gjermania në gusht i shtrenjtojnë. Ne nuk e dimë ku qëndron faji, pasi që çmimet na vinë direkt nga Prishtina nga kompanitë që kanë kontrata me aeroplanë, ndërkaq ne si agjencione punojmë për ato kompani si “Air Prishtina”,  Euro Koha”.

Edhe Rashiti thotë se vazhdimisht kanë ankesa për shtrenjtimin e biletave nga pasagjerët.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe me kompaninë ajrore “Euro Koha”, por  zyrtarë të saj  nuk i janë përgjigjur pyetjeve rreth kësaj teme.

Portali arbresh.info ka kontaktuar zyrën e Departamentit të Aviacionit Civil brenda Ministrisë së Infrastrukturës, por ata kanë hezituar të përgjigjen, se kur Kosova do të bëhet me kompani të vetë ajrore.

Ndryshe, muajt Korrik-Gushtë janë sezona me e ngarkuar, kjo pasi që shumë bashkatdhetarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës vendosin që pushimet e tyre t’i kalojnë në Kosovë./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme