Në Kosovë është i ndaluar simboli “Z”, ndërkombëtarisht mund të ndalohet sikurse ‘kryqi i thyer’ i Hitlerit

08:02 | 8 Prill 2022
arbresh.info

Në Kosovë është i ndaluar simboli ‘Z’, për shkak se mund të cënojë sigurinë dhe vlerësohet si kërcënim. Njohësit e rrethanave të sigurisë vlerësojnë se simboli ‘Z’ mund të ndalohet sikurse ‘kryqi i thyer’ i Hitlerit, shkruan arbresh.info.

Perdorimi i simbolit “Z” i cili besohet të ketë kuptimin e pushtimit ushtarak në Ukrainë, e që konsiderohet si mbështetje për Luftën e Rusisë në Ukrainë, është vërejtur të përdoret kohëve të fundit edhe në Kosovë, konkretisht në Mitrovicën e Veriut.

Atje ditëve të fundit është parë të përdoret ky simbol edhe nga një grup qytetarësh pas fitores së, Aleksandar Vuçiqit për President në Serbi.

Përderisa Ukraina u ka bërë thirrje shteteve që të dënojnë penalisht përdorimin e këtij simboli i cili konsiderohet si mbështetje për Luftën në Ukrainë, deri më tani disa shtete kanë reaguar ndërsa më seriozisht e kanë marrë tre Landet e Gjermanise: Berlini, Bavaria dhe Saksonia e Ulët të cilat tashmë kanë thënë se kushdo që përdor simbolin për të promovuar luftën, mund të dënohet me deri tre vjet burgim.

Deri më tani as Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me promovimin e këtij simboli i cili shpërfaq përkrahjen e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Por, për këtë çështje njohësit e sigurisë në Kosovë kanë mendime më të qëndrueshme.

Njohësi i rrethanave të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi në një deklaratë për arbresh.info, vlerëson se ky simbol është kërcënim, për shkak që cenon sigurinë jo vetëm në Ukrainë por nxit urrejte dhe kërcënim edhe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës.

“Ky simbol kështu është i përshkruar edhe në kodin penal por edhe në aspektin kombëtar, realisht simboli është kërcënim për shkak që cenon sigurinë jo vetëm në Ukrainë, por ky simbol nxitë urrejte dhe kërcenim edhe ndaj sigurisë kombëtare të Kosovës, sepse veç ka pretendime edhe adresim të kërcënimeve edhe nga Presidenti rus edhe Ministri i jashtëm Lavrov por njëkohësisht edhe nëpërmjet aleatit të vet Serbisë Presidentit Vuçiq ndaj Kosovës, dhe për këtë arsye kjo llogaritet në aspektin nacional”, thotë Ibishi.

Ndërkohë njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Kadri Kastrati, njëherit dhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për arbresh.info  se duke pas parasysh që Republika e Kosovës, institucionet e saja, Presidenca, Qeveria, e kanë dhënë mendimin e vet dhe e kan dënu okupimin apo sulmin ushtarak ndaj Ukrainës, unë mendoj që ne duhet të jemi në një vijë me partnerët tanë strategjik SHBA-në dhe Evropën dhe absolutisht mendoj që në Kosovë nuk do të duhej të përdoret çdo simbol duke përfshire edhe shkronjën “Z” që simbolizon agresionin dhe luftën e Rusisë ndaj një shteti dhe populli sovran siç është Ukraina.

“Institucionet tona janë deklaruar kundër agresionit Rus në Ukrainë dhe absolutisht është e papranueshme që të përdoren apo reklamohen këto simbole sikur që është edhe simboli “Z”. Ndërsa sa i përket përdorimit të këtij simboli nga ana e serbëve nuk më çudit sepse Serbia zyrtare nuk e ka dënuar sulmin rus mbi Ukrainën, nuk i ka vu sanksionet që janë kërkuar nga SHBA-të dhe BE-së mbi Rusinë dhe përkrahja e Serbisë akoma vazhdon duke luajtur politikën e dy karrigeve qysh e ka luajt deri më tani “Mirë me Evropën mirë me Rusinë”, deklaroi Ibishi.

Sipas ekspertëve, edhe në aspektin ndërkombëtarë është e mundur edhe në mënyrë specifike me ligj të ri me u sanksionu simboli i caktum, sikur “Kryqi i thyer” i Hitlerit.

Shikuar në aspektin ndërkombëtar, sipas Nuredin Ibishit, pasi me këtë simbol janë kryer krime barbare në Ukrainë si mesazh kjo që po dëshmohet se ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare të luftës, katër konventat e Gjenevës sidomos këto dy protokollet shtesë, vetëm është duke u bërë padia edhe për Presidentin Rus, Ministrin e Mbrojtjes dhe Ministrin e Jashtëm për përfshirje në krime të luftës në Ukrainë.

“Pra edhe në aspektin ndërkombëtar ka prekje edhe me të drejtën humanitare ndërkombëtare, është e mundur edhe në mënyrë specifike me ligj të ri me u sanksionu simboli i caktum, sikur “Kryqi i thyer” i Hitlerit që simbolizon nacizmin e që sanksionohet përdorimi i saj e sidomos lëvizjes neofashiste, dhe për këto arsye mendoj se ky simbol mundet me u sanksionu edhe me ligjet ekzistuese edhe kombëtare, por edhe me ato në aspektin ndërkombëtar për shkak vet krimeve të fundit që janë kry me këtë simbol në Ukrainë, sidomos kjo e fundit që ishte në Buscha e që veç po përgatitet aktakuza për krime lufte, përfshi edhe aspektin ndërkombëtar të së drejtës humanitare”, thotë Ibishi.

Nga ana tjetër, Kadri Kastrati, i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të përcaktohet në politikën e saj në raport me Rusinë, sidomos kur bëhet fjalë për rajonin dhe Kosovën.

“Unë këtu bëjë ftesë, aq sa unë kam fuqi t’i bëj ftesë, edhe BE-së që njëherë e përgjithmonë të përcaktohet me politikën e saj drejt Rusisë dhe drejt politikës së saj fashiste, okupuese edhe ndaj rajonit e posaçërisht ndaj Kosovës”, deklaron Kastrati.

Në Rusi, shkronja ‘Z’ përdoret si simbol i pushtimit ushtarak në Ukrainë, vizatohet ose ngjitet në makina civile dhe bilborde, e disa të tjerë e kanë stampuar edhe në bluzat e tyre. /Artan Maliqi/arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme