Rritja e nivelit të ndotjes së ajrit po e shton çdo ditë e më shumë numrin e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pavarësisht se nuk kanë shifra të sakta, pulmologia Rukije Mehmeti në një përgjigje për arbresh.info thotë se janë të shumtë pacientët të cilët shtrihen në spital për shkak të ajrit të ndotur.
Ajo po ashtu tregon se në cilat sëmundje më shumë ndikon ajrit i ndotur.
“Sa i përket numrit të sëmurëve me ndotje të ajrit fatkeqësisht nuk kemi shifra. Ajri i ndotur më shumë ndikon tek sëmundjet kronike të mushkërive-Bronchitin kronik, astmën, në personat me imunitet te komprometuar si diabetiket, të sëmuret me sëmundje malinje, fëmijët, pleqtë, te sëmurët me HIV/AIDS etj”, ka thënë ajo.
Këshillat e pulmologes Rukije Mehmeti
Doktoresha Mehmeti po ashtu apeloi qytetarët që mos të dalin kur nuk ka nevojë.
“Apeli im është të mos dalin pa nevojë, sidomos kur shohin se ka mjegull, kur mediat lajmërojnë për përqindjen e lartë të ndotjes së ajrit, dhe të rrisim fushat e gjelbërta sa më tepër, sepse gjelbërimi, pemët janë mushkëritë e qytetit, të përdorim sa më rrallë që është e mundur veturat, e më tepër trafikun urban”, ka thënë ajo.
Ndërsa ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se po qe se nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratorë, që do të jenë shqetësuese.
Sipas lajmërimit të tyre, efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.
Shkaktarët e ndotjes së ajrit, dhe reagimi institucional
Përdorimi i thëngjillit për ngrohje, numri i madh i veturave dhe Korporata Energjetike e Kosovës, po konsiderohen disa nga faktorët të cilët po e shkaktojnë ndotjen e ajrit në Kosovë.
Valon Maliqi Këshilltar i Lartë Politik i Ministrit detyrë të Mjedisit, tha për arbresh.info se MMPH së bashku me Task Forcën Ndërministrore kanë ndërmarrë disa veprime për përmasimin e gjendjes.
“Në lidhje me reduktimin e ndotjes së ajrit, si Ministri në kuadër edhe të Task Forcës Ndërministrore kemi ndërmarrë disa veprime e vendime të rëndësishme e të cilat po ndikojnë e do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes”, tha Maliqi.
Ai tregoi disa nga veprimet që i kanë ndërmarrë për reduktimin e ndotjes së ajrit.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit. Kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të zbatojnë udhëzimin administrativ që MMPH ka nxjerrë vite me parë e i cili ndalon regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër”, tha Maliqi
Maliqi tha se një nga investimet më të mëdha i cili financohet nga BE, është reduktimi i ndotjes së ajrit, është ndërrimi i filtrave të “Kosova B”, i cili do të kushtoj 78 milionë euro.
“Investimi më i madh që tani po ndodhë në reduktimin e ndotjes së ajrit është ndërrimi i filtrave të TC ‘Kosova B’, projekt ky i cili financohet nga BE dhe do të kushtojë 78 milion euro”, tha Maliqi.
Investimet në përmirësimin e cilësisë së ajrit
Investimet tjera të cilat janë bërë me ndihmën e donatorëve Maliqi thotë se është rritja e monitorimit dhe raportimit të të dhënave, ku mund t’i njoftojnë qytetarët për gjendjen e ajrit në shumicën e komunave në vend.
“Investime me përkrahjen e donatorëve si:JICA, BE, MCC, BB, UNDP, Qeveria Franceze etj, kemi bërë e po bëjmë edhe në rrjetin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave, si vendosjen e monitorëve ne Kryeqytet ku pasqyrojnë gjendjen ne kohe reale, si dhe aplikacioni online ‘KosovoAIRquality’ ku mund te shihet gjendja e ajrit ne shumicën e komunave ne vend, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar drejtë dhe po ashtu jemi duke punuar edhe në fushën e vetëdijesimit të qytetarëve sepse edhe ne si qytetarë në një apo formën tjetër i kontribuojmë ndotjes së ajrit”, tha Maliqi.
Ndërsa në rast se gjendja shpallet alarmante ai thotë se do marrin masa emergjente në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
“Nuk përjashtohen edhe masa tjera emergjente që mund t’i marrim në raste kur kemi gjendje alarmante të ndotjes së ajrit, por për këtë do të koordinohemi me Komunën e Prishtinës dhe do t’i përkrahim siç kemi vepruar edhe me pare”, tha Maliqi.
Kujtojmë se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani dhe Drenasi janë qytetet të cilat më së shumti përballen me nivelin e ndotjes së ajrit.
E për degradimin e mjedisit jetësor, Kosova ishte kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë./arbresh.info/E.Haxhiu/
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor
LDK thërret konferencë për media, nuk dihet arsyeja
2 Korriku njofton se ka përfunduar marrëveshja me akademinë ...