Kosova si një vend i vogël, por me një histori të madhe, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe trashëgiminë kulturore, me theks të veçantë objektet muzeore si pjesë e turizmit kulturor.
Të shumtë janë vizitorët që ia mësyn Muzeut Etnologjik në Prishtinë këtij vendi të vogël, por të pasur me traditë të vjetër, një monument i kulturës që daton nga shekulli i 18-të.
Në këtë muze ruhen objekte të rëndësishme me vlerë, e ku disa nga artefaktet kanë një vjetërsi nga dy deri në tre shekuj.
Muzeu ofron një eksperiencë të paharrueshme, e cila u sjell vizitorëve njohuri të thella rreth identitetit kulturor dhe trashëgimisë së pasur të vendit tonë.
Etnologu Ilir Sopjani, i cili brenda Muzeut luan edhe rolin e ciceronit, ka shpjeguar për Arbresh.info rrënjët dhe rrugëtimin e Muzeut Etnologjik të Kosovës.
Duke përdorur perspektivën etnologjike, ai ka bërë një eksplorim tërheqës nëpër kulturën dhe historinë e këtij vendi, duke ndihmuar vizitorët të kuptojnë thellësisht kontekstin e objekteve dhe eksponateve të cilat ndodhen në muze.
“Kompleksi i Muzeut “Emin Gjiku”, njihet sipas emrit të familjes që ka jetuar deri në vitin 1958, një familje e pasur në atë kohë, familja shpërngulet për në Turqi, një vit më vonë hapet si një muze i natyrës apo biologjik, i cili funksionon deri pas luftës deri në vitin 2000, një periudhe e restaurimit, konservimit të objekteve”, thotë Sopjani.
Etnologu na tregon rreth objekteve të kompleksit, si një shtëpi 300 vjeçare, duke na treguar llojet e eksponateve që gjenden brenda muzeut.
“Në kompleksin tonë janë objektet e shekullit 18, si ndërtesa janë të vjetra, po flasim për një shtëpi 300 vjeçare, karakteristike e banimit të asaj kohe, pastaj në kompleks janë ekspozitat e përhershme edhe me eksponate të natyrave të ndryshme janë eksponate të dheut, metalit të drurit dhe të tekstilit, shumica nga eksponatet janë të shekullit 17, kemi diçka prej asaj kohe, duke vazhduar në shekullin 18, 19 dhe 20”, pohon ai.
Përkundrejt kalimit të kohës, strategjia për të ruajtur materiale të ndjeshme kulturore, Iliri tregon se me këto çështje merren ekspertët e kësaj fushe, ku bëjnë analizë të thellë gjatë pranimit të eksponateve.
“Muzeu etnologjik i Kosovës, e ka dhe ekipin ose grupin e ekspertëve të cilët e bëjnë vlerësimin e eksponateve, varësisht nga vjetërsia e tyre dhe karakteristikat, vjetërsia e eksponatit është njëra nga kriteret, pastaj karakteristikat, dekorimet e tyre, varësisht prej cilit material të eksponateve po flasim, pjesa e tekstilit zakonisht dallon prej trevave, veshjet, pjesët e veshjeve, gjendja e eksponatit, vjetërsia, materiali i cili është përdorë, teknikat, këto janë disa prej kritereve, ne vazhdimisht pranojmë eksponate nga qytetarët e Kosovës, ne si ekip shkojmë në terren dhe i sjellim dhe i analizojmë këto kritere”, thekson etnologu.
Iliri na tregon rreth objektit të shekullit 18, si objekti më i vjetër në qytetin e Prishtinës, ai flet rreth arkitekturës së tij.
“Objekti 18 është objekti më i vjetër në qytetin e Prishtinës, shtëpia më e vjetër e banueshme, karakteristikë e saj është arkitektura e kësaj shtëpie, me dy hyrje, hyrjen anëtare të familjes dhe hyrjen e veçantë të mysafirëve, me pjesën e ballkonit, qardakut, pastaj objekti përveç bazamentit, del edhe nga pjesa bazë në katin e dytë, dhe me sistemin e mbylljes së dritareve dhe roletat e asaj kohe”, thekson ai.
Sa i përket interesimit të vizitorëve, ai thotë së mbi 90 për qind e vizitorëve janë të huaj.
“Që nga viti 2006, çdo herë kanë pri vizitorët e huaj apo ndërkombëtarë diku mbi 90 për qind, për dallim nga vizitorët vendorë, gjithherë prijnë vizitorët e huaj, mirëpo Muzeu etnologjik prej viteve, rangohet si atraksioni kryesor që duhet të vizitohet në qytetin e Prishtinës”, tregon Sopjani.
Iliri flet dhe rreth veshjeve që i ka muzeu, ndërto Xhubleta dhe veshja e Hasit.
“Si pjesë e ekspozitës të përhershme do të jenë veshjet ose pjesa e tekstilit, veshjet kanë dalluar si në Kosovë dhe në vendet tjera, varësisht nga rastet të cilat është përdorë, veshjet e përditshme, veshjet për të dal, veshjet martesore, veshje mortore, në kompleksin tonë i kemi rreth 15 lloje të veshjeve, në këtë dhomë e shohim veshjen me xhubletë, dhe veshjen e Hasit, ku veshja me xhubletë është bërë pjesë e UNESCO-së, dhe veshjen e Hasit e kemi marrë si donacion para dy viteve” , shprehet etnologu.
Ndër të tjerat, Sopjani tregon dhe rreth enëve të amvisërisë, ku tregon se disa nga enët që posedon muzeu, janë të qeramikës dhe bakrit.
“Enët i shohim në raftet, për shkak se në dollapët në qoshe kanë mbajtur çdo herë ushqim, në traditën shqiptare ka qenë që t’i ofrohet çdo herë ushqim mysafirëve, enët këtu i kemi nga qeramika dhe bakri, mirëpo janë enë të cilat kanë qenë të prodhuara në Kosovë, enë për ruajtje, për servim që i shohim të ekspozuara këtu”, tregon ai.
Muzeu etnologjikë për festën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurtit, do të jetë i hapur për vizitorë e huaj, ndërkombëtar dhe vendor.
Muzeu etnologjik është pjesë e Muzeut Kombëtar, ku e ka sektorin e historisë, që do të jenë aktivitete që lidhen me 17 shkurt, Muzeu etnologjik do të jetë i hapur për vizitorët, edhe pse është festë, ne do të punojmë, aktiviteti kryesor do të jetë pritja e vizitorëve.
Ndryshe, Muzeu Kombëtar e ka sektorin e historisë dhe kjo lidhet më tepër me datat historike, mirëpo do të jetë i hapur që të presim vizitorët e huaj, ndërkombëtar dhe vendor./Arbresh.info/Rita Jakupi/
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...
Peci ngre kallëzim penal ndaj Lumir Abdixhikut e Paris Gurit...
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
E transferuan gjatë verës, por Juventus është gati të ndajë ...