Google ADS

Merrni një çantë shpine dhe çlodhuni në Strugë, Ohër, Pogradec e Elbasan

16:12 | 26 Tetor 2019
Arbresh.info

Bukuria e vjeshtës është e dukshme çdo hap në shumicën e qyteteve të Ballkanit. Vjeshta dhe ngjyrat e bukura të arta në të verdhë që vijnë me këtë stinë kanë mbuluar gjithashtu edhe Maqedoninë me Shqipërinë.

arbresh.info, në bashkëpunim me Kaltrina Travel,  bashkoi ngjyrat e arta të vjeshtës, që gëzojnë bukuritë e kësaj periudhe të vitit në Maqedoni dhe Shqipëri.

Thjesht vishni diçka të ngrohtë, merrni një çantë të vogël në shpinë dhe filloni aventurën tuaj dy ditore që gjarpëron në Strugë, Ohër, Pogradec, Elbasan, e që është tejet relaksuese.

Udhëtimin e nisëm nga Prishtina në mëngjesin e së shtunës…

Pas disa orë udhëtimi me autobus, mbërritëm në qytetin Strugë, të Maqedonisë Veriore.

Në qytetin e Strugës dhe rrethinë jetojnë banorë të cilët i përkasin disa nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, maqedonas, turq, rom, e tjerë.

Ky qytet piktoresk dhe me peizazhe çlodhëse, është ngritur në një pikë në veri te Liqenit te Ohrit. Përshkohet nga Drini i Zi që ushqehet nga burimi i Shën Naumit aty pranë. Rrjedh përmes Liqenit të Ohrit dhe mbërrin në Strugë, duke e ndare qytezën në dy pjesë.

Mbi shtratin e këtij të fundit prej kohësh ngrihen bare dhe restorante që frekuentohen nga vendasit dhe të huajt e veçanërisht nga kosovarët. Nëse do ta nisësh mbarë një udhëtim në Strugë, i pari vend që të sugjerojnë është pikëtakimi i Drinit me Liqenin, freskohesh nga stërkalat e ujit që kërcejnë në ajër. Urat që lidhin dy brigjet e Drinit të Zi i japin Strugës epitetin “Qyteti i Urave”.

Në 250 metra gjatësi të shtruar me gurë, gjejmë pika ku blihen dhurata të vogla me përmbajtje të flamurit shqiptar.

Struga, e qetë, e bukur dhe e urtë, Ka një jetë te pasur kulturore. T’i dedikosh pak minuta Strugës të ndodh të bëhesh menjëherë pjesë e saj.

Udhëtimin e vazhdojmë drejt Liqenit të Ohrit, që është një nga liqenet më të vjetra në botë dhe sigurisht, ndër më të bukurit.

Ndërsa misteri i këtij liqeni është që sipas legjendave nga pala shqiptare, flitet për një qytet të varrosur nën Liqenin e Ohrit. Legjenda thotë se një tërmet, shkaktoi zhytjen e qytet nën ujë detaj ky i cili e bënë këtë liqen të vjetër edhe më interesant.

Ndërsa kapiteni i varkave në Ohër Gëzim Shaqiri, tregon për interesimin e madh të turistëve për këtë liqen.

“Është   një nga liqenet më të vjetra në botë, thuhet se ka rreth 4 milionë vite, dhe pikërisht për këtë arsyeje është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kemi turistë nga e gjithë bota por më duhet t’i veçojë turistët nga Turqia dhe Ballkani.”

Drejtimin e timonit tonë e kthejmë drejtë Manastirit të Shën Naumit, një nga Manastiret më të mëdha të gjithë rajonit të Evropës e të Ballkanit.

Pa dyshim se njëra nga pikat më të lezetshme të kësaj shëtitje ishte Parku Drilon që gjendet në Pogradec të Shqipërisë.

Ta shijosh kafen e mëngjesit në buzë të lumit të këtij parku, do të thotë se bëhesh gati për të kaluar një ditë fantastike.

Ngjyrat fantastike të vjeshtës që kaplojnë lumin, zërat e zogjve  që cicërojnë do të jetë njëra nga përvojat tuaja më të bukura.

Shëtitjen e e vazhdojmë drejtë qytetit të Elbasanit e cila njihet si “qytet i luleve. “

Faton Podvorica, nga Kaltrina Travel, tregon për programin e vizitës tonë dy ditore.

“Aktualisht jemi në Elbasan, që ka një histori në vete. Kemi filluar nga Struga, Ohri, vazhduam në Shën Naum, Parkun Drilon, dhe në fund do të vizitojmë edhe kryeqytetin shqiptar, Tiranën, nga ku do marrim rrugën për në Kosovë.

Sidomos në vjeshtë është kënaqësi të kalosh nëpër rrugicat e ngushta të lagjes Kala. Ngado të shoqëron një lulëzim në shpërthim të plotë, të mbushen mushkëritë me aromat e këndshme të aq e aq luleve, që i shpëtuan së fundi tymrave helmues së metalurgjisë së dikurshme.

Në ato oborre të ngushtë përreth shtëpive elbasanase, nuset e reja, gratë,  të moshuarit, por edhe burrat, mbillnin me kujdes lehe të tëra lulesh me ngjyra të ndezura dhe erë këndshme. Në portat e moçme kacavirren dorëzonjat që kundërmojnë tërë rrugicën. Në shtretër vendin kryesor e zë lajmëtarja e pranverës, manushaqja, ose, siç i thërrisnin në Elbasan, meneksheja.

E krejt në fund ndaluam edhe në Tiranë, nga ku dhe morëm rrugën e kthimit për në Kosovë./Gazetar: Alban Begolli, Kamera: Pajtim Bejtullahu/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme