Google ADS

Malisheva në “luftë” me rriqrat dhe mushkonjat

11:59 | 14 Gusht 2023
L G

Me fillimin e pranverës, nis edhe përballja e banorëve të komunës së Malishevës me rriqrat, problem ky që daton nga paslufta e fundit në vend.

Pickimi i rriqrave është ndërruar në një “epidemi” me të cilën komuna e Malishevës po përballet tash e sa vjet, e që ka marrë edhe disa jetë të banorëve të kësaj komune.

Që nga janari e deri në fund të korrikut, 843 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare(QKMF) në Malishevë pas pickimit nga rriqrat.

Kështu ka thënë për Arbresh.info, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi.

Krasniqi tha se këtë vit nuk ka pasur përshkallëzim të situatës, përveç në tri raste kur dyshohej për ethe hemorragjikë të rënda, e që më vonë është konfirmuar se nuk ekziston rreziku.

“Fatbardhësisht, këtë vit nuk kemi pasur asnjë rast i cili është për tu veçu me përshkallëzim të sëmundjes. Tre raste kemi pasur që kemi dyshu se mund të jetë ethe hemorragjike, i kemi dërguar në spital, ku atu edhe është konfirmuar negativizimi i tyre që nuk kanë qenë me ethe hemorragjike, por kanë pas simptoma të përafërta me ethet hemorragjike”, tha Krasniqi.

Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me vitin e kaluar, sipas Krasniqit, është shënuar një rënie e rasteve të pickimit nga rriqrat.

“Vitin e kaluar deri me 31 korrik të vitit 2022, 960 raste kanë kërkuar ndihmë mjekësore për heqjen e rriqrave në QKMF-në në Malishevë. Momentalisht vërehet një rënie e dukshme e rasteve të pickuara nga rriqrat. Dua ta falënderoj kuvendin komunal, që ka bërë dezinfektimin e fushave. Po ashtu, ne si QKMF kemi bërë edukimin e vazhdueshëm në çdo shkollë të komunës së Malishevës. Kemi bërë një fushatë për mbrojtjen nga rriqrat”, tha Krasniqi.

Pickimi i rriqrave konsiderohet fatal nëse bartë virusin që ka tek njeriu, e megjithëkëtë drejtori i QKMF-së në Malishevë theksoi se ende nuk është bërë identifikimi i kësaj kategorie të rriqrave.

“Jo çdo pickim i rriqrave është me sëmundje. Natyrisht të gjithë rriqrat nuk janë të sëmurë ose nuk bartin virus. Por është një grup i rriqrave që fatkeqësisht ende nuk kemi mund me i identifiku se cili është ai grup që e bartë virusin tek njeriu. Rreziqet e mëdha janë që nëse rriqra ka virusin brenda sigurisht që është me fatalitet”, tha ai.

Për të u dal në mbroje qytetarëve, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në bashkëpunim me Drejtorin Komunalë të Malishevës, kanë organizuar fushata vetëdijesuese nëpër shkolla, pasi sipas Krasniqit, kategoria më e rrezikuar janë nxënësit.

Ai jep disa këshilla për mbrojtje nga pickimi i rriqrave.

“Sa më pak të rrini në fusha dhe pyje. Po që se ju duhet të dilni të punoni në fusha dhe në pyje, të veshni rroba të gjata, të mbulohen sa më shumë duart dhe pjesët e trupit. Pas çdo kthimi në shtëpi, të vet kontrollohen dhe të bëhet një pastrim gjeneral, d.m.th. që mos të ngjitet një rriqër e të vërehet pas një periudhe të gjatë. Në momentin që vërehet një rriqër, këshilla jonë është që çdo të mos e hekin rriqrën vet, por të por të vinë në QKMF në Malishevë dhe ta hekin atë në mënyrën më profesionale të mundshme. Tani Malisheva veç se ka krijuar një përvojë goxha të gjatë me heqjen e rriqrave dhe me menaxhimin e tyre dhe sigurisht nuk na ik asgjë e rastit”, tregon ai.

Krasniqi tregon kush janë më të rrezikuarit nga ky pickim.

“Kategoritë më të rrezikuara janë njerëzit të cilët dalin në fusha, e ata janë kryesisht fëmijët parashkollor, shkollorë dhe të mesme. Por nuk mund të përjashtohen edhe fëmijët e vegjël”, tregoi ai, duke shtuar se nuk mjafton vetëm largimi i rriqrave, por edhe përcjellja e gjendjes shëndetësore të personit të pickuar deri 14 ditë.

Mushkonjat sfidë tjetër e Malishevës

Një pickim i ngjashëm si i rriqrave, këtë sezon në Malishevë është shfaqur edhe nga mushkonjat.

Doktori Krasniqi për Arbresh.info tha se këtë herë është vërejtur një rritje e qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga pickimi i mushkonjave, por që sipas tij, ende nuk është bërë ndonjë analizë.

“Këtë vit e kemi vërejt se rastet e pickimit nga mushkonjat edhe qytetarët kanë kërkuar ndihmë më shumë se vitet e kaluara. E kemi vërejt që ka një numër më të madh të mushkonjave. Nuk kemi bërë ndonjë ekspertizë, ndonjë analizë, sepse kjo i takon fushës së shëndetit publik. Por, rastet të cilat trajtohen te ne ose kërkojnë ndihmë, e kemi vërejt që është në rritje”, tha Kransiqi.

Ndryshe, pickimi i rriqrave shkakton sëmundjen e etheve hemorragjike dhe zakonisht shfaqen nga muaji prill deri në gushtë.

Nga ethet hemorragjike vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Ky ishte viti kur u shënua numri më i madh i personave të vdekur nga ky pickim.

Pas këtij viti, me masat e ndërmarra nga institucionet relevante, nga viti në vit është shënuar rënie e pickimit, por edhe e rrezikut të jetës së qytetarëve nga pickimi i rriqrave.

Zonat epidemike me ethet hemorragjike, janë Malisheva, Klina, Rahoveci, Suhareka dhe më pak të prekura janë Gjakova e Prizreni./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme