Google ADS

Magjistralja Prishtinë-Podujevë më problematikja për aksidentet e trafikut

20:13 | 12 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Kjo është Policia e Trafikut Rrugor të Kosovës e cila drejtohet nga Major, Milaim Fejzullahu.

Dita e këtij njësiti fillon në ora 8 të mëngjesit me mbajtjen e brifingut ose thënë ndryshe mbledhjes ku komandanti i Trafikut Rrugor të Kosovës, Milaim Fejzullahu bën gati planin dhe orarin, ndan lokacionet për policët që do të patrullojnë në teren, duke ia caktuar kështu  detyrat dhe përgjegjësit secilit veç e veç gjatë këtij orari të punës.

Komandant i Trafikut Rrugor të Policisë së Kosovës, Milaim Fejzullahu bën të ditur se në drejtimin Prishtinë-Podujevë këtë vit sipas statistikave del se ka pasur shumë aksidente me fatalitet dhe me lëndime të rënda.

Major Milaim Fejzullahu mban brifingun duke caktuar lokacionin, rruga nacionale Prishtinë-Podujevë, ky ekip do të dalë në terren me veturë civile dhe do të identifikojnë të gjithë kundërvajtësit të cilët bëjnë shkelje në vijë të plotë dhe tejkalimin e shpejtësisë.

Kurse ekipi i dytë do të patrullojë  në rrugën nacionale Prishtinë-Ferizaj të cilët do të identifikojnë të gjithë kundërvajtësit të cilët bëjnë shkeljen e vijës së plotë, tejkalimin e shpejtësisë dhe të gjitha kundërvajtjet e tjera.

Milaim Fejzullahu për arbresh.info ka treguar se çfarë aktivitete dhe me çka merret Policia e Trafikut Rrugor në një ditë pune normale.

Ai thotë se dita fillon nga ora 8 deri në 16:00, fillimisht nga ora 8 deri 8 e 30 shohin të gjitha shkresat dhe obligimet ditore të cilat iu përcollën nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës, 8 e 30 mbahet brifingu me mbikëqyrësit e terrenit, raportimi 24 orësh, masat qe do të ndërmerren për sigurinë në trafikun rrugor.

Zhvillohen takime me Drejtorinë Rajonale, ministritë përkatëse për gjendjen e infrastrukturës rrugore, inspektimet qe bëhen për patrullat në teren, analiza mujore e sigurisë në Trafikun Rrugor në magjistralet të cilat janë më problematike.

Fejzullahu thotë se kur të identifikohen lokacionet më problematike, pra ato me aksidente fatale, atëherë merren masa duke shtuar patrullat në këto zona dhe shtohet patrulla me veturë civile, e cila po tregon rezultate të mira në parandalimin e kundërvajtjeve dhe aksidenteve me fatalitet.

Shkaktari numër një (1) i aksidenteve me fatalitet, është faktori njeri dhe tejkalimi i shpejtësisë, gjithashtu edhe tejkalimi në vijë të plotë. Fejzullahu bën të ditur se nga 5 aksidente me fatalitet ka pas edhe aksidente të involvuara me këmbësor.

Në krahasim me vitin e kaluar sipas statistikave të dhëna numri i aksidenteve me fatalitet dhe me lëndime të rënda trupore është në ulje.

Fejzullahu thotë se janë 120 zyrtarë policor të trafikut duke përfshirë këtu edhe policinë e qytetit, dhe brenda 24 orëve përafërsisht ndodhin 10 deri në 12 aksidente me ose pa lëndime trupore dhe shqiptohen 200 deri 250 gjoba brenda këtyre orëve.

Komandant Milaim Fejzullahu apelon te të gjithë qytetarët që të jenë të përgatitur me pajisje dimërore pasi që ka filluar sezoni i dimrit, të respektohen shenjat e trafikut, të respektohet shpejtësia e lejuar dhe të gjitha rregullat e tjera të komunikacionit.

Me policët Bekim Murati dhe Artan Haradinaj u nisëm nga stacioni policor për të dal në terën në pikat e caktuara nga Majori. Me veturën civile të Policisë të Trafikut Rrugor të Kosovës u nisëm drejt qendrës së qytetit.

Në qytet policia filloi patrullimin duke vëzhguar se mos ka ndonjë kundërvajtës në trafik e specifikisht po kërkonin ata të cilët hyjnë në dritën e kuqe të semaforit dhe ata të cilët tejkalojnë në vijë  të plotë, pasi që sipas policëve në qytet janë pikërisht këto dy lloj kundërvajtjesh në të cilët ata hasin më së shpeshti.

Gjatë patrullimit me veturën civile në rrugën “Dëshmorët e Kombit” u ndal kundërvajtësi i parë në qytet, e që ishte në një veturë ku vozitësja po drejtonte makinën dhe në të njëjtën kohë po përdorte telefonin.

Policia menjëherë reagoi dhe vetura u ndalua nga policia. Pas kontrollimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme u konstatua nga dy policët se dokumentet janë në rregull, mirëpo për kundërvajtjen e kryer ngasësi i veturës në fjalë do të gjobitej për kundërvajtjen: Përdorimi i telefonit mobil gjatë drejtimit të automjetit.

Gjatë vazhdimit të patrullimit nëpër qytet në rrugën “Sheshi Idriz Seferi” apo tek rrethi me flamur, policia ndaloi njërën nga veturat që po merrte pjesë në komunikacion, për një kontroll rutinore.

Polici Artan Haradinaj, sapo ndalet vetura, i tregon vozitësit se arsyeja e ndaljes së veturës është vetëm për një kontroll rutinore dhe për të vërtetuar se ka të gjitha pajisjet dimërore.

Polici konstaton se gjithçka është në rregull dhe i jep leje vozitësit që të vazhdoj dhe apelon që të ketë kujdes kur merr pjesë në komunikacion.

Policia vazhdon patrullimin nëpër qytet dhe fatmirësisht nuk has në ndonjë kundërvajtës tjetër çka edhe tregon se qytetarët janë vetëdijesuar sa i përket rregullave në komunikacion.

Tani policia merr drejtim tjetër duke vazhduar patrullimin në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë duke vazhduar kështu aktivitetin dhe obligimin e tyre ditor.

Gjatë përshkimit të kësaj rruge nuk pati asnjë qytetarë që kreu ndonjë lloj të kundërvajtjes. Mirëpo gjatë kthimit në po të njëjtën rrugë, pra drejtimi Podujevë-Prishtinë, policia i vihet në ndjekje një veture të tipit BMW.

Vetura e cila ishte në ndjekje për disa minuta nga policia, ndalon dhe kështu policia tregon se arsyeja se pse është ndalur vetura në fjalë ishte për shkak të mos mbajtjes së distancës në komunikacion dhe gjithashtu edhe bën kontrollimin për gomat e dimrit.

Vazhdohet përsëri me kontrolle rutinore për të vërtetuar se a janë të pajisur pjesëmarrësit në trafik me goma të dimrit dhe pajisjet e tjera dimërore.

Kurse gjatë kthimit nga rruga nacionale Podujevë-Prishtinë, saktësisht në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, policia vëren se në shiritin e kundërt nga ai në të cilën në po lëviznim ishte një person që po ngiste veturën e tij dhe në ulësen e përparme kishte të ulur fëmijën nën moshën 12 vjeçare.

Policia i vihet në ndjekje kësaj veture, e ndalon atë,  e dënon me gjobë prej 150 euro dhe i konfiskojnë patentë shoferin për 3 muaj.

Bëhet thirrje dhe apel që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesshëm dhe të drejtojnë veturat e tyre me kujdes të shtuar sidomos tani që ka filluar sezoni i dimrit.

N’ trafik me Policinë e Kosovës është emision i veçantë që realizohet nga arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ky emision ka për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në komunikacion, këmbësorëve dhe shoferëve, në lidhje me respektimin e rregullave të komunikacionit.

Prodhim i arbresh.info në bashkëpunim me Policinë e Kosovës

Gazetare: Arditë Shkodra

Kamerë: Safet Hyseni

Dhjetor 2019

Rruga nacionale Prishtinë-Podujevë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme