Google ADS

Kalërimi ndihmon kosovarët të “harrojnë” koronavirusin

13:50 | 21 Nëntor 2020
Arbresh.info

Fshati Ballaban në periferi të Prishtinës është shndërruar në atraksion për vizitorët.

Mbajtja e kuajve nga një dëshirë familjare është kthyer në biznes për familjen Rexhepi, raporton arbresh.info.

Ndonëse dikur ishte vetëm qejf i pronarit më pas u bë edhe i fëmijëve të tij.

Mbajtjen e kuajve e kemi trashëgimi familjare fillon rrëfimin, Mursel Rexhepi pronar i kësaj ferme.

“Me mbajtjen e kuajve kemi filluar moti e kemi trashëgimi, a me biznes e kemi fillua qe një vit. Tash i kemi 15 kuaj. Janë raca të ndryshme por më shumë i kemi nga Kosova. Unë i kom  mbajt kuajt gjithë pasi i kom qejf, po tu i pa interesimin, e kemi rrit numrin e kemi bë biznesi. Ka shumë të interesuar nga e gjithë Kosova. I trajnojmë zakonisht. Për momentin merrem vetëm me kuaj. Mendojmë me zgjerua dhe me investua në këtë drejtim. Ia vlen mu marr me këtë”, rrëfen ai.

E ashtu si prindi që di çdo detaj për fëmijën e tij, ashtu edhe Murseli thotë se i njeh kuajt e tij që i ka në fermë.

Në detaje tregon se si trajnohen paraprakisht kuajt për kalërim.

“Po, i njohim, i dimë cilët munden me u kalërua. I trajnojmë paraprakisht”.

E për kalërimin me kuajt në këtë vend të bukur ka interesim nga i gjithë vendi.

Djali i Murselit, Egzoni që nga fëmijëria është marrë me rritjen dhe kujdesin e kuajve në fermën e tyre.

E derisa pandemia ishte shkaktar për mbylljen e vendit, duket se Ballabani u kthye në vendin ku për disa orë banorët  Kosovës, po e largonin këtë virus nga mendja.

Egzoni thotë se ishte pandemia shkaktare që nga një dëshirë familjare, kuajt u kthyen në një biznes.

“Interesante është shumë. Na qysh fëmijë jemi mësuar me ta. Skemë poligona vetëm në teren të hapur bëhet kalërimi. Në kohën e pandemisë ka shumë të interesuam për kalërim. Prej krejt rajoneve ka të interesuar”.

E duket se edhe në mesin e kësaj ferme, kuajt dallohen.

Njëri nga ta është kali me emrin Tajson, me të cilin Egzoni është i lidhur shpirtërisht.

“Këta e kom personal temin. E kom marr që një vit por jam lidh me të shumë. Ky quhet Tajson, veç ata qe i kemi të veçantë i kemi me emra. Deri në katër orë kom kalërua pa ndal. Është e vështirë mu largu prej një kali me të cilin lidhemi emocionalisht”.

Ajo çka e bën të veçante këtë fermë është mos kufizimi i kalërimit. Familja Rexhepi thotë se do të investojë në infrastrukturë, por që nuk do ta ndërrojë strukturën e kalërimit në ambient të hapur dhe pa kufizime.

E interesimi për kalërim nuk mungon as në ditët e punës./V.Selimi/arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme