Infermierja kosovare në Itali flet për arbresh.info, tregon se as italianët nuk e morën seriozisht koronavirusin

09:31 | 18 Mars 2020
Arbresh.info

Pandemia COVID-19 apo ndryshe koronavirusi, tashmë e shtrirë në pothuajse të gjithë botën, ka filluar të shfaqet edhe në vendin tonë.

Edhe pse shumica e qytetarëve nuk e marrin seriozisht dhe vazhdojnë jetën normale, ky virus tashmë ka prekur me miliona njerëz në botë.

Ndërkaq njëra nga vendet më të prekura me këtë pandemi është shteti italian.

arbresh.info, këtë çështje e ka diskutuar me Besire Xhemollarin, specialiste e emergjencës me prejardhje kosovare që punon në Itali, e cila deklaroi se edhe italianët ashtu si kosovarët në fillim nuk e morën për seriozitet dhe si rezultat u prekën mijëra njerëz.

Gazetari Alban Begolli dhe e intervistuara Besire Xhemollari.

Xhemollari tha se Italia aktualisht po mundohet ta përballojë situatën duke e mbajtur nën kontroll.

“Italia aktualisht po mundohet me e mbajt situatën në kontroll. Ka mijëra njerëz të prekur, e cila erdh si rezultat i papërgjegjësisë së njerëzve”, shprehet ajo.

“Aktualisht jemi në karantinë, të gjitha janë të mbyllura, përveç super maketeve, farmacive, spitaleve”.

Ajo më tutje deklaroi se edhe italianët ashtu si kosovarët nuk e morën seriozisht virusin vdekjeprurës.

“Kur filloi të shfaqej në fillim, askush nuk e mori seriozisht, të gjithë vazhduan jetën normale. Dilnin në kafe, bar, punë etj. Brenda një periudhe shumë të shkurtër virusi u përhap gjithandej dhe u prekën mijëra njerëz. Në fund për të ndaluar këtë gjë ndërhyri policia e cila duke e përdorur forcën i mbylli njerëzit brenda”, tha Besire Xhemollari.

Ajo deklaroi se masat tashmë janë ashpërsuar.

“Tashmë për të dalë në rrugë duhet të kesh një arsye të dëshmuar. Përndryshe pëson dënimi duke filluar nga 206 euro dhe shkon deri në 3 vite në burg”.

Ajo më tutje tha se është e rëndësishme që njerëzit të mbajnë veten të izoluar, shkaku që mund të kenë virus dhe nuk e dinë.

“Është një virus simptomat e të cilit janë kollitja, temperatura e lartë, lodhja, vështirësia e frymëmarrjes. Ka ndonjë person që është i infektuar, por nuk e vëren as vet, del jashtë dhe infekton edhe të tjerët. Për këtë arsye është me rëndësi të qëndroni brenda”, deklaroi ajo.

Me tutje Xhemollari thotë se shumica e të vdekurve nga ky virus, janë të moshës 80 vjeçare.

“Deri më tani shumica e personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi janë të moshës së lartë dhe ata me sëmundje të ndryshme që kanë pasur më herët. Deri më tash një ilaç të zbuluar nuk ka dhe po flitet që gjetja e kësaj vaksine do të zgjasë rreth një vit”.

Me pas ajo deklaroi se për t’u mbrojtur nga ky virus duhet të mbajmë pastërtinë dhe t’i shmangim lëvizjet.

“Pastrimi i duarve, teshave dhe ambientit ku qëndrojmë është me rëndësi. Të mos dalim jashtë për derisa nuk është nevoja në mënyrë që të mos rrezikojmë as veten e as të tjerët”, tha ajo.

Deri tani në Kosovë të konfirmuara janë 19 raste me COVID-19, fatmirësisht fatalitete nuk ka pasur./A.Begolli/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme