Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot një Konferencë për Media përmes së cilës ka dalë me disa zotime publike në lidhje me përfshirjen e Luginës së Preshevës në jetën publike dhe politike të Kosovës.
Në këto zotime, ndër të tjera, Hoxhaj ka thënë se PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës si dhe të nisë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës.
Në 7 zotimet që ka bërë publike sot kandidati i PDK-së për kryeministër, përfshihen edhe Ligji për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, themelimi i Agjencisë Shtetërore për Luginën e Preshevës, rritja e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimi i kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë, katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës dhe Fondi i përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre
Lexoni deklaratën e plotë të kandidatit për kryeministër, Enver Hoxhaj:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar gazetarë,
Më lejoni që fillimisht t’ua uroj të gjithëve Vitin e Ri dhe të uroj që ky vit të sjellë shëndet dhe begati në familjet tuaja. Po ashtu, shpresoj që në vitin e ri qytetarët nuk do të shqetësohen nga zhgënjimet që i pësuan në vitin e kaluar me dy qeveritë e dështimit dhe partitë që keqqeverisën.
Kjo është konferenca e parë për këtë vit, dhe flet për seriozitetin dhe vendosmërinë që kemi si Parti Demokratike për ta prezantuar një ofertë të re për qytetarët e vendit dhe një kontratë që do ta lidhim së bashku dhe përfaqëson pritjet e vitit 2021.
Pas propozimeve që shpalosëm për diasporën, sot si kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të prezantoj para qyetarëve të Kosovës zotimet tona konkrete për një pjesë tjetër të kombit që nuk jeton në Kosovë, por në Luginën e Preshevës, e cila vazhdimisht ka qenë një brengë e madhe për Partinë Demokratike.
Si një parti e dalë nga lufta dhe me themele të forta patriotike, gjithmonë ka qenë e përkushtuar që t’ia zgjas dorën e përkrahjes vëllezërve dhe motrave tona të Luginës së Preshevës.
Partia Demokratike në vazhdimësi e ka përcjellë me shqetësim gjendjen e shqiptarëve të Luginës, situatën e rëndë ekonomike të tyre, diskriminimin shtetëror të ushtruar ndaj tyre dhe plagën e emigrimit të shqiptarëve nga vatrat e tyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Ne nuk jemi një parti populiste që flet për kombin dhe Luginën vetëm për vota, as nuk jemi parti për tregtarë flamujsh që patriotizmin e kanë vetëm për imazh, por PDK-ja gjithmonë, me veprime konkrete, i ka dalë në krah vëllezërve tonë në Luginë.
Po përmendi vetëm disa cfarë kemi bërë kur kemi udhëhequr me qeverinë e vendit:
(a) Partia Demokratike dhe Qeveria Thaçi patën nisur abetaret e para në gjuhën shqipe në drejtim të Luginës.
(b) Partia Demokratike, Kryeministri Thaçi dhe unë si Ministër i Jashtëm, kemi qenë në krye të betejës për t’i bërë presion Serbisë për çështjen e monumentit të UÇPMB-së në Preshevë.
(c) Në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, në janar 2014, për herë të parë Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë ndanë një fond të mbështetjes financiare për Luginën.
(d) Kryetari Kadri Veseli gjithnjë e ka pasur pikë të dobët fatin dhe gjendjen diskriminuese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
(e) Ka qenë qëndrim i kryetarit Kadri Veseli dhe vazhdon të jetë qëndrim edhe i imi si kryeministër i ardhshëm se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë nëse çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk adresohet dhe ky do të jetë pozicioni kyç negociues i qeverisë së udhëhequr nga unë dhe PDK-ja.
Prandaj sot, Partia Demokratike e Kosovës, si aleate e natyrshme dhe historike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe unë si Kryeministër i ardhshëm, i shpalli këto zotime publike:
PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, ashtu që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës.
PDK-ja do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që do të garantonte zotimet ligjore të Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës duke krijuar strukturat e nevojshme, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbështetje për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror.
PDK-ja dhe qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta themelojë Agjencinë Shtetërore për Luginën e Preshevës si organ koordinues i Kosovës për adresimin e sfidave të shqiptarëve të Luginës dhe për koordinimin e ndihmës shtetërore të Kosovës. Kjo Agjenci do të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Kryeministrit të Kosovës.
PDK-ja do të marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës. Kjo do të realizohet përmes nismës së PDK-së për ta amandamentuar Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.
PDK-ja do ta ndërmarrë rritjen e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimin e kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë.
PDK-ja dhe qeveria e drejtuar nga PDK-ja do t’i hapë katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës, ashtu që ta lehtësojë qarkullimin e shqiptarëve të Luginës. Këto pika kufitare do të jenë në këto fshatra të Luginës – Muhoc, Breznicë, Dobrosin dhe Ranatoc.
PDK-ja do ta krijojë Fondin e përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre. Ky Fond i Qeverisë së Kosovës do të jetë me vlerë prej 2 milion euro në vit dhe do të orientohet nga zhvillimi ekonomik, kulturor, rual dhe arsimor i Luginës së Preshevës.
Vëllezër dhe motra të Luginës,
Për fund, më lejoni që t’ua uroj Vitin e Ri juve, shqiptarëve të Luginës, dhe t’u garantoj se këto janë 7 zotimet të cilat Partia Demokratike dhe unë si kryeministër i ardhshëm deklarohemi para jush se do t’i implementojmë që në muajt e parë të qeverisjes.
Zjarr në Kullën Eifel, evakuhoen 1200 persona
Policia e Kosovës rritë masat e sigurisë në prag të festës K...
Lista Serbe ankohet në PZAP për moscertifikim
Guardiola konfirmon një mungesë të madhe për ndeshjen ndaj E...
Ukraina merr një miliard dollarë nga Britania dhe Japonia si...
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë vjen n...