Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, dhe ish-drejtues tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi pretendohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se mund t’i bëjë përgjegjës për krimet e ndodhura në vendet kryesore të identifikuara të paraburgimit në 1998/1999.
Në Përmbledhjen Ekzekutive të propozim-akuzës të siguruar nga portali arbresh.info thuhet se ka prova të rëndësishme për vendosjen e përgjegjësisë në një nivel të lartë.
“Ky rrëfim përcakton prova të rëndësishme për vendosjen e përgjegjësisë në një nivel të lartë për krimet e ndodhura në vendet kryesore të identifikuara të paraburgimit në 1998/1999”, thuhet në dokumentin e siguruar nga portali arbresh.info.
Dokumenti citon fshatrat Jabllanicë, Likoc, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Baicë, Llapashticë, Kleçkë dhe Zllash.
“Organi kryesor i memos analizon provat në lidhje me një teori të qëllimit të përbashkët të përgjegjësisë, përgatitjen dhe zbatimin e këtij qëllimi të përbashkët dhe strukturat dhe individët përmes të cilave u zbatua qëllimi i përbashkët”, thuhet në dokument.
Përmbledhja Ekzekutive jep edhe emrat e të “akuzuarve potencial”.
“Në veçanti, ai përmban projekt vlerësime të kontributeve për pesë të akuzuar potencialë (Azem Syla, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi)”, thuhet në dokument.
Aty thuhet se shtojca A përmban narrativat specifike për secilën nga vendet e paraburgimit.
“Shtojca A e memorandumit përmban narrativat specifike për secilën nga vendet e paraburgimit, duke përfshirë shqyrtimin e krimeve të kryera dhe të personave me të cilët përgjegjësia për ato krime mund të lidhet drejtpërdrejt”, thuhet në dokument.
Shtojca B përmban vlerësime të besueshmërisë për dëshmitarin e cituar në memo.
“Shtojca B është më progres dhe ende nuk përmban deklarime të gjithë dëshmitarëve. As vlerësimin e të gjithë dëshmitarëve të listuar”, thuhet në pjesën e fusnotave për Shtojcën B.
Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.
Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës” thuhej në njoftimin e DHSK. /E.B/arbresh.info/
Gesko dhe Rina sjellin këngën e re “Bobo”
Mexhiti: Nesër në mbledhjen ndërqeveritare Kosovë-RMV do të ...
Muriqi: Me Lituaninë vetëm fitore
Zëdhënësi i Hezbollahut vritet gjatë një sulmi në qendër të ...
Lela: Gjesti mund të ndihet më ‘i vogël’ se Edi
Prezantohen 4 drejtorët e rinj të policisë, Hoxha: Të garant...