DOKUMENT| Rashit Qalaj nuk i deklaron bizneset në Lipjan

08:00 | 27 Janar 2021
arbresh.info

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, nuk i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit bizneset në Lipjan.

Derisa për njërën ka dhënë disa komente, për biznesin e gruas nuk e ka shkruar as edhe një informatë, raporton arbresh.info.

Portali arbresh.info merr vesh se gruaja e tij, Nurije Ismajli, është bashkëpronare e kafiterisë “Mandarina”, në Lipjan. Pronar tjetër në këtë biznes figuron edhe Fatos Qalaj.

Rashit Qalaj tek ‘Posedimi i aksioneve në shoqëritë komerciale’ nuk e ka paraqitur biznesin e gruas.

Qalaj as tek ‘Të hyrat vjetore’ nuk ka paraqitur të hyra përmes këtij biznesi. Tek të hyrat e bashkëshortes ka deklaruar vetëm pagën që Nurije Ismajli e merr tek Ujësjellësi Rajonal.

Qalaj e ka deklaruar pasurinë më 15 prill 2020.

Por, një javë më vonë, më 22 prill 2020, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron si biznes i shuar.

Për këtë biznes edhe vetë Qalaj ka dhënë disa sqarime, duke thënë se nga viti 2004 biznesi i ka kaluar pronarëve të rinjë.

“Nuk kam patur asnjë aktivitet financiar më me të”, thuhet në sqarimin e Qalaj.

Në ditët në vijim portali arbresh.info do të ju sjellë edhe qëndrimet e Agjencisë Kundër-Korrupsion në lidhje me verifikimin e pasurisë së Qalaj.

Avdullah Hoti ka shkarkuar Rashit Qalajn nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës në tetor të vitit të kaluar.

Qalaj së fundi i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, dhe është kandidat për deputetë i kësaj partie./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme