Djali i drejtorit të spitalit në veri rezulton pozitiv me COVID-19, po trajtohet në Beograd

13:44 | 2 Prill 2020
arbresh.info

Anesteziologu në Qendrën Emergjente të spitalit në veri të Mitrovicës, Miljan Ivanoviq, njëherit edhe djali i drejtorit të këtij spitali, Millan Ivanoviq, është infektuar me koronavirus.

Arbresh.info mëson nga burime brenda personelit mjekësor ne veri, se ai po trajtohet në Beograd, derisa lavdëron personelin mjekësorë përmes rrjeteve sociale.

“Të keni mundësinë për të parë atë që unë po shikoj tani, në Klinikën e Pulmonologjisë, pacientët të cilët, pothuajse të gjithë, erdhën me simptoma të buta dhe më pas kaluan në një acarim të tillë për disa orë, është e vështirë për mua që madje të flasim për këtë”, ka shkruar anesteziologu Ivanoviq në Facebook.

Ai shkruan se i gjithë personeli mjekësor po bëjnë përpjekjet maksimale për t’i ndihmuar.

“Sikur edhe ju të mund t’i shihni të gjitha, siç bëj tani, ju betohem, ju do të qëndroni në shtëpi pa menduar të dilni kudo. Mbështetni ata që ju interesojnë, mbështesni ata që për momentin po rrezikojnë shëndetin e tyre, madje edhe jetën, për të ndihmuar të tjerët”, ka shkruar ai.

Por, jo të gjithë serbët e Kosovës i drejtohen autoriteteve shëndetësore në Serbi, në lidhje me testimin dhe trajtimin e rasteve të infektuara me koronavirus.

Një ditë më parë infektologu i Klinikës Infektive, Salih Ahmeti, ka pranuar se kanë trajtuar një serbë të infektuar me koronavirus.

“Ne jemi mjek dhe nuk ka rëndësi për ne se çfarë komuniteti janë. Kemi pasur komunitet të ndryshëm njëri ka qenë rom, njëri ka qenë serb i cili ka rezultuar pozitiv me test dhe është lëshuar në shtëpi pasi që ka shprehë dëshirën të trajtohet në vet izolim si disa pacientë tjerë që janë nën mbikëqyrje të ekipeve regjionale”, është shprehur Ahmeti për arbresh.info.

Nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme