Google ADS

“Asociacioni sherr i madh në Kosovën e vogël”

09:10 | 3 Shkurt 2023
L G

Të martën pozitë e opozitë u takuan me ambasadorin e ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier për të diskutuar rreth Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se Asociacioni është “sherr” i madh në Kosovën e vogël”.

Analisti, Musa Sabedini pohon se është e rëndësishme fakti që Ambasada e Amerikës po i dëgjon edhe zërat e tjerë rreth Asociacionit.

“Ajo që është e rëndësishme është fakti që Ambasada Amerikane ka marrë një obligim që të dëgjojë edhe zërat e tjerë rreth Asociacionit dhe realisht të gjithë e dimë se Asociacioni është “sherr” i madh në Kosovën e vogël”, deklaron ai në një prononcim për arbresh.info.

Sipas tij, në rast të pranimit të këtij dokumenti, mund të kemi zgjedhje të parakohshme ose dorëheqje të Qeverisë.

“Albin Kurti nuk e ka guximin që vet ta nënshkruajë një dokument të tillë ose ta pranojë si pjesë përbërëse të shtetit të Kosovës dhe për fatin tonë të keq mund të kemi zgjedhje të parakohshme ose dorëheqje të Qeverisë. Takimi për më tepër është për ta matur pulsin e shoqërisë civile, deri diku të medieve të përzgjedhura nga organizatori ose të analistëve dhe opinionistëve kosovarë. Personalisht mendoj se pavarësisht presionit pala kosovare s`ka asnjë arsye të ngutet rreth Asociacionit”, shton ai.

Megjithatë, ai thotë se kryeministri Kurti po e zvarrit pa nevojë kundërshtimin e Asociacionit.

“Ne po ngutemi dhe po kryejmë punë për “hir” të interesave të faktorit ndërkombëtar, por asgjë nuk po përfitojmë, atëherë pse të shpejtojmë? Mendimi im është se Albin Kurti po e zvarrit pa nevojë kundërshtimin e tij ose pranimin eventual rreth Asociacionit. Ndoshta një ekip i Unitetit politik në Kosovë ku do të merrnin pjesë shumica e liderëve dhe pjesa tjetër e shoqërisë civile do t`i bënte nder Albin Kurtit, edhe pse ai vet është i ngathët për të ndërmarrë hapa vendimtar dhe logjik dhe në interes të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, analisti, Fatmir Sheholli thotë se çdo takim që thirret nga përfaqësuesi amerikan është në të mirën e Kosovës.

“Çdo takim që thirret nga përfaqësuesit amerikan e në këtë rast nga ambasada amerikane e që ka të bëjë me Republikën e Kosovës është i shenjtë për shtetin tonë”, ka deklaruar Sheholli për arbresh.info

Sipas tij Kosova nuk do të ketë mik më të fuqishëm se SHBA-të, dhe se vendi ynë është këtu ku është falë Amerikës.

“Kosova as nuk ka pasur e as nuk do të ketë mik më të fuqishëm se SHBA. Kosova është këtu ku është ekskluzivisht me angazhimin amerikan. Pra, Amerikës shteti ynë duhet verbërisht ti besoi”, shton ai.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit të së martës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe se Washingtoni nuk mbështet asnjë marrëveshje që cenon Kushtetutën e Kosovës.

Kurse, një ministër i Qeverisë Kurti u deklarua pas takimit.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pohoi se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.

“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, ishte shprehur Rashiq.
Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se të pranishmit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.

“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, theksoi ai.

Për takimin ku u fol për Asociacionin u deklaruan edhe dy parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

PDK vlerësoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi”.
Sipas kësaj partie, në vazhdimësi ka dhënë mbështetje dhe ka inkurajuar qeverinë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila sipas partisë “ është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Dallimet ishin mes palës shqiptare dhe asaj serbe dhe jo mes pozitës e opozitës. Kështu tha për një medium vendor, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri që ishte pjesë e takimit.

“Natyrisht dallimet janë të mëdha mes shqiptarëve dhe serbëve”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk ka pasur dallim opozitë-pozitë”, ka thënë Haziri. /arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme