AKI ka informacione se dy grupe në Rashkë po trajnohen për destabilizim të veriut, Basha: Vendet mike t’i bëjnë presion Vuçiçit

16:08 | 5 Prill 2023
A Z

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Dimal Basha, e konfirmon atë që e tha deputetja Ganimete Musliu sot, se janë njoftuar nga Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, për dy grupet serbe të cilat janë duke u trajnuar në Rashkë, me qellim të destabilizimit të gjendjes në veri.

Për ‘Arbresh.info’, Basha thotë se këto veprime janë të qëllimshme, duke e ndërlidhur me djegie të veturave të qytetarëve serbë, që janë veprime për të shkaktuar frikë tek qytetarët serb që ju nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të Republikës.

Basha akuzat i ka drejtuar tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke thënë se po vazhdon me shantazh kundër shtetit të Kosovës.

“Po, është e vërtetë qe sot gjatë raportimit drejtori na njoftoi që pjesëtarët të dy grupeve serbe janë duke u trajnuar në Rashkë, dhe sigurisht se këto veprime bëhen me qellim të destabilizimit të gjendjes në veriun e vendit.  Për më tepër, drejtori gjithashtu na njoftoi se ka djegie të veturave të qytetarëve serbë, që janë veprime për të shkaktuar frikë tek qytetaret serb që ju nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të Republikës së Kosovës. Këto kërcënime dhe veprime kriminale vijnë me urdhër të strukturave paralele serbe, që janë dorë e shtrirë e Presidentit Vuçiç, të cilit si duket po vazhdon me shantazh kundër shtetit të Kosovës” ka thënë Basha për ‘Arbresh.info’.

Tutje Basha thotë se për atë çfarë ka thënë shefi i AKI-së Ajeti,  organet e sigurisë tashmë kanë njohuri dhe janë duke i marrë masat e nevojshme, mirëpo po ashtu ai ka kërkuar nga vendet mike që të bëjnë presion tek Vuçiç që të ndalojë menjëherë me këto veprime kriminale.

“Organet e sigurisë në vend janë në njohuri dhe po marrin masat e nevojshme, por ne sigurisht kërkojmë edhe nga vendet mike që të bëjnë presion tek Vuçiç që të ndaloj menjëherë me këto veprime kriminale, si dhe bëjmë thirrje që KFOR-i të mos lejoj destabilizim dhe shantazh që kërcënon sigurinë dhe jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës në veri të vendit”, thotë Baraliu.

Ndryshe, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti këtë informacion e ka dhënë gjatë raportimit në komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili i mbajte pa pranin e mediave. /Arbresh.info/Pleurat Salihu/

 

Të ngjashme