Google ADS

A do rrezikohej ikja e mjekëve nga spitalet shtetërore, nëse ndalohet puna e tyre në spitalet private?

10:53 | 12 Gusht 2023
Diellza Gashi

Vendimi më i ri i Universiteti të Prishtinës ua ka ‘ndarë’ rrugët profesorëve të cilët paralelisht angazhohen edhe në Universitete shtetërore dhe në ato private po mendohet të merret edhe për mjekët.

Ani pse pagat për mjekët dhe infermierët janë rritur, ende ekziston “rreziku” i braktisjes së spitaleve shtetërore për ato private, nëse një vendim i tillë merret nga Ministria e Shëndetësisë.

Pleurat Sejdiu, nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), pohon se një vendim i tillë, do të ndikonte në largimin e madh të mjekëve nga spitalet shtetërore, drejt atyre private.

“Kjo çështje tanimë ka marr epilogun e vet përmes Gjykatës Kushtetuese, dhe gjithsesi po te ndodhte një gjë e tille do bënte largimin e një numri të mirë të mjekeve drejt sektorit privat”, tha Sejdiu.

Njëjtë si Sejdiu, mendon edhe njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija.

Ai, për Arbresh.info thotë se një vendim i njëjtë duhet të merret, ani pse është i vështirë.

Mirëpo, sipas tij, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), nuk duhet të krijojë varësi nga askush.

“Unë konsideroj se SHSKUK, si institucioni më i lart spitalor në vend, nuk duhet të krijojë varësi nga askush. E di që është një vendim i vështirë, por megjithatë herët a vonë, mjekët që japin shërbime në SHSKUK, sidomos operacione, nuk duhet që të kenë konflikt interesi duke i dhënë shërbimet e njëjta edhe në një institucion privat”, thotë Vitija.

Megjithatë, ai pohon se mjekët po e lënë punën në spitale publike pa pasur nevojë që të merret ky vendim.

“Çështja e pagave tanimë nuk është problemi kryesor, sepse me ligjin e ri pagat bashkë me kujdestari pothuajse janë përafruar me sektorin privat. Mjekët që fitojnë më shumë në sektorin privat veçse po e lënë punën në spitalet publike në vitet e fundit, d.m.th. po i ndajnë rrugët vet pa pasur nevojë të merret ndonjë vendim nga SHSKUK”, shprehet Vitija.

Por, një vendim që do t’i kushtëzonte mjekët të punojnë ose në spitale shtetërore, ose në ato private, sipas tij, nuk do paraqiste ndonjë rrezik të mbylljes së shërbimeve.

“Edhe pse po ndodhin këto lëvizje shërbimet në spitalet publike vazhdojnë të kryhen nga mjekë të tjerë, andaj unë nuk e shoh si rrezik të mbylljes së shërbimeve nëse merret një vendim i tillë”, deklaroi në fund Vitija.

Portali Arbresh.info ka drejtuar pyetje lidhur me këtë çështje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, po nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndryshe, në fillim të këtij viti, vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 u bë 105 euro.

Drejtori i SHSKUK-së, ka koeficientin 14,  ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacist e kanë koeficientin 7.4.

Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.

Kushtet dhe pagat në sistemin shëndetësor  nuk janë aspak të kënaqshme në  Kosovë.

Ndërkohë, pagat e ulëta e kushtet jo të mira kanë bërë që shumë profesionistë shëndetësor t’i lënë spitalet shtetërore, madje shumica prej tyre janë larguar krejtësisht nga Kosova për në vendet evropiane.

Organizata Botërore e Shëndetësisë sipas të dhënave të saj për vitin 2023, renditë Shqipërinë për gjendjen më të keqe në rajon, sa u përket numrit të mjekëve në Ballkanin Perëndimorë.

Ndërsa, sipas OBSH-së, Serbia qëndron më së miri në rajon.

Për Kosovën, nuk ka të dhëna sepse nuk është ende pjesë e saj.

Megjithatë, e gjithë shëndetësia në Kosovë paraqitet mjaftë sfiduese për të gjithë ministrat e rinj të këtij dikasteri./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme