Mbi 100 studentë nga Kosova, që studiojnë në Turqi, kërkojnë që të kthehen në familjet e tyre pasi që ligjëratat në universitete iu kanë ndërpre shkaku i situatës së krijuar nga Covid-19, shkruan arbresh.info.
Sipas tyre, qeveria turke ka siguruar fluturim nga Stambolli për në Prishtinë, por Ambasada e Kosovës në Ankara, nuk po arrin të organizojë kthimin e studentëve.
Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar Tringa Dreshaj e cila është studente kosovare në kryeqytetin turk, Ankara.
“Gjegjësisht para dy muajve, kur filloi kjo situatë, kemi kërkuar nga Ambasada e Kosovës këtu në Ankara, që të na kthejnë në Kosovë, pasi që edhe shkolla, edhe gjithçka u ndërpre. Të njëjtën kërkesë e kemi bërë edhe në konsullatën e Kosovës në Stamboll. Aktualisht, jemi rreth 100 studentë, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thotë Dreshaj.
Ajo, deklaroi se përgjigje e vetme që kanë marrë nga ambasada, ka qenë se kthimi i studentëve do të bëhet në dy gupe të caktuara, por përparësi do të kenë personat e sëmurë.
“Nuk na kanë dhënë asnjë kohë të caktuar. Na kanë thënë që do të organizohen fluturime nga aeroporti i Stambollit, në dy grupe por duke mos na treguar se kush do të jetë pjesë e atij udhëtimi. Në Turqi ka studentë, por ka edhe persona që kanë ardhur për shërim këtu, por ka edhe persona që kanë ardhur me punë. Neve si student ata kanë thënë, se e keni gjendjen e sigurt dhe fillimisht do t’ju japim përparësi personave të sëmurë dhe atyre që nuk kanë dokumentacion të nevojshëm. Në javën e kaluar është realizuar një fluturim, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe disa studentë që në fakt duhej të ishin pjesë e listës së dytë, por kanë pasur shqetësime shëndetësore dhe i kanë futur në listën e parë”, pohon Dreshaj për arbresh.info.
Ajo më tutje thotë se deri më tani nuk ka asnjë student kosovar që është prekur me Covid-19.
“Me sa kam pasur kontakte me unionin studentor, nuk ka ndonjë student Kosovar që është i prekur me Covid-19. Në momentin që qeveria turke morri masat për situatën, ka ardhur një urdhër që studentët ndërkombëtar të vendosen nëpër konvikte dhe të qëndrojnë në karantinë të plotë, në mënyrë që të mos prekemi nga virusi”, shprehet ajo.
Tringa Dreshaj, thotë se ka kontaktuar edhe me ministritë në Kosovë, të cilët i kanë thënë se për këtë çështje duhet të kontaktojnë me ambasadën, ndërkohë ambasada ka deklaruar se asgjë nuk mund të bëhet pa konfirmimin e ministrive.
“Në mënyrë grupore apo në mënyrë të organizuar nuk kemi bërë ndonjë kërkesë në ndonjë ministri. Por, unë personalisht kam kontaktuar me zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë, Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por na kanë thënë që kapacitetet e karantinës në Kosovë nuk janë të mjaftueshme dhe për këtë çështje mund ta zgjidhin vetëm nga ambasada. Të njëjtën gjë na e kanë thënë edhe ambasada, sipas tyre asgjë nuk mund të bëhet pa miratimin e ministrive në Kosovë”, tha Dreshaj.
Ajo më tutje deklaron se Ambasada e Kosovës në Ankara, nuk do të organizojë udhëtimin e studentëve nga qytete të ndryshme për në aeroportin e Stambollit.
Sipas saj, kjo shkakton rrezik sepse studentët mund të infektohen në rrugë derisa udhëtojnë me orë të tëra drejt Stambollit.
“Aktualisht, 31 qytete të Turqisë janë në karantinë të plotë. Fluturimi do të organizohet direkt nga Stambolli dhe në momentin që duhet të udhëtojmë nga qytetet e ndryshme për ne Stamboll, do të jemi të rrezikuar nga infektimi sepse ambasada po na mundëson vetëm marrjen e lejes për qarkullim, ndërkaq ne jemi të obliguar të udhëtojmë vet me kushtet tona. Në fakt duhej ta organizojnë udhëtimin e sigurte në mënyrë të organizuar. Dhe me gjasë do të kemi problem udhëtimin duke e ditur distancën e madhe nga Ankaraja deri në Stamboll.”
Dreshaj në fund thotë se kushtet e karantinës ku janë strehuar janë të mira dhe qeveria turke do të ndihmojë për të organizuar fluturim për në Prishtinë.
Sipas saj tashmë gjithçka është në duart e ambasadës.
“Kushtet në karantinë këtu i kemi të mira, qeveria turke do ta sigurojë fluturimin nga Stambolli për në Prishtinë, e as bursat nuk na i kanë ndërprerë edhe pse nuk kemi ligjërata. Tashmë gjithçka është në dorën e Ambasadës së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, por deri më tani nuk kemi diçka konkrete,” u shpreh ajo./A.Begolli/arbresh.info/
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag