“Zyrtarët e fituan pasurinë në mënyrë korruptive”

23:07 | 19 Gusht 2018
V. S.

Zyrtarët shtetërorë të cilët kanë tentuar ta fshehin pasurinë e tyre, duke mos e bërë publike për qytetarët, janë futur nën llupën e hetimeve. Nëse Prokuroria e Shtetit gjen elemente të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj tyre mund të ushtrohen edhe kallëzime penale, shkruan “Zëri.info”.

Fakti se një pjesë e zyrtarëve shtetërorë nuk kanë pranuar ta deklarojnë pasurinë e tyre u ka lindur dyshimeve njohësve të fushës së sundimit të ligjit se pasurinë zyrtarët e kanë fituar në mënyrë korruptive.

Kështu ka thënë njohësi i fushës së sundimit ligjor, Riza Smaka.

Smaka në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka sqaruar faktin se deklarimi i pasurisë përveç obligimit ligjor është edhe moral njëkohësisht.

“Është tepër keq për zyrtarët publikë të cilët ushtrojnë funksione publike dhe paguhen nga paratë publike e nuk e deklarojnë pasurinë. Ky është obligim ligjor, por edhe moral. Kjo lë për të dyshuar se një pjesë të pasurisë ose gjithë pasurinë e kanë të fituar në mënyrë korruptive. Ndryshe do ta kishin deklaruar”, ka shpjeguar Smaka. Por pa kritika nuk e ka lënë as sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Ana tjetër e medaljes, organet e ndjekjes vënë dyshime po ashtu korruptive që nuk i ndjekin këto raste, që nuk i posedojnë këto raste deri në ndërmarrjen e masave ligjore kundër atyre që nuk e paraqesin pasurinë e vet, nuk e kryejnë obligimin ligjor. Ligji në fuqi nuk aplikohet. Ka vend për t’u qortuar administrata publike. Në anën tjetër, titullarët e caktuar të sistemit të drejtësisë që këtë çështje e heshtin të rafinuar dhe nuk e posedojnë”, është shprehur ai.

Me një short të hedhur nga Agjencia Kundër Korrupsionit 950 zyrtarë të përzgjedhur do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Përtej kësaj liste thuhet se Agjencia ka mandat që të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë dhe të zyrtarëve të tjerë të cilët nuk kanë qenë pjesë e shortit.

Proces ky që mund të realizohet sipas detyrës zyrtare të Agjencisë me kërkesë të publikut ose të personave të tjerë të interesuar në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara në saktësinë dhe në korrektësinë e deklarimeve. /Zëri/

Të ngjashme