Zyra e Haradinajt e nis një ‘peticion’ on-line pasi BE tha se Trepça duhet të diskutohet me Serbinë

15:03 | 5 Shkurt 2019
V. S.

Deklarimet e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic, se edhe puna e Trepçës do të jetë pjesë e dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse që do të arrihet ndërmjet këtyre dy shteteve ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

I pari që ka reaguar ka qenë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se deklarime të tilla të BE-së dëshmojnë se e kanë humbur rrugën në oborr.

Ai thotë se është i papranueshëm një qëndrim i tillë dhe se cenon pavarësinë e shtetit të Kosovës, që për qëllim ka ndarjen e Kosovës.

“Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënësës së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkohë ka qenë këshilltarja e tij, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka nisur një peticion online, duke thënë se kushdo që hap temat sovrane të Kosovës, është bashkëpjesëmarrës për ndarjen e Kosovës.

Sipas saj ndarja e Kosovës do të nënkuptonte luftë.

“Populli i Kosovës, dhe miqtë e vërtetë të saj janë kundër ndarjes së Kosovës, dhe këtë e kanë thënë hapur dhe prerë. Kushdo që ka dorë në çorientimin e dialogut të mirëfilltë dhe transparent të Kosovës me Serbinë, duke infiltruar pa asnjë parim temat sovrane të Kosovës, është bashkëpjesëmarrës në përpjekjet për ndarjen e Kosovës.Ndarja nënkupton LUFTË. JO NË EMRIN TIM! Shpërndaje nëse pajtohesh!”, ka shkruar këshilltarja e Haradinajt.

Ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është miratuar Statuti i Trepçës, duke nxitur kështu reagime të ashpëra të Serbisë.

Në një protestë të organizuar nga serbët në veri u tha se Kosova po tenton ta rrëmbejë Trepçën dhe t’i lë papunë serbët./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme