Google ADS

Zyra e BE-së reagon për sulmin ndaj shtetësisë së Kosovës në Beograd

11:33 | 6 Prill 2019
Arbresh.info

Në Beograd dje është nënshkruar Marrëveshja e Roamingut Rajonal në Serbi, ku pjesë ishte edhe Kosova.

Por, jo gjithçka shkoi mirë në samitin dyditor në Beograd, shkruan arbresh.info.

Në ditën e parë, u arrit një marrëveshje e rëndësishme për ballkanasit, e në ditën e dytë u lejua të sulmohet prania dhe shtetësia e Kosovës.

Në një nga panelet e Samitit Digjital, të organizuar nga Bashkimi Evropian, derisa prezantohej ICK nga menaxheri i saj Shpend Lila, një gruaje nga publiku iu është dukur e papranueshme që, sipas saj, të afirmohet pavarësia e njëanshme e Kosovës.

E në monitorin prapa Lilës, ishte i shkruar i njëjti mesazh.

Me situata të tilla është ballafaquar edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, që të enjten ishte një prej 6 nënshkruesve të marrëveshjes që parasheh heqjen graduale të roamingut në Ballkan deri në vitin 2021.

E për këtë ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku ka thënë se çdo veprim që shkon kundër frymës së normalizimit, nuk është i dobishëm për përpjekjet e vazhdueshme për fqinjësi të mirë dhe arritje të zgjidhjes së qëndrueshme.

Deklarata e plotë e Zyrës së Bashkimit Evropian:

Është shumë e vlefshme që Marrëveshja Rajonal Roaming, është nënshkruar nga të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, në Samitin Digjital në Beograd. Për Kosovën, si të gjithë, ky është një hap i madh, i cili do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset e rajonit. Të gjitha përpjekjet tani duhet të përqendrohen në kthimin në realitet të kësaj marrëveshjeje shumë të nevojshme. Në këtë frymë, deklaratat dhe veprimet që ulin vlerën e asaj që është arritur, janë pavend. Çdo veprim që shkon kundër frymës së normalizimit, kundër marrëveshjeve të arritura deri më tani në Dialogun e Beogradit të Prishtinës, nuk është i dobishëm për përpjekjet e vazhdueshme për të nxitur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për të arritur zgjidhje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.

Tarifat e “Roaming”-ut, që nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin e përdoruar nga qytetarët e një shteti në një shtet tjetër, janë zakonisht disa herë më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikacionin brenda një shteti./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme