Thellësisht të indinjuar në Kuvendin e Kosovës për Ligjin për Pagat janë shërbyesit civilë, sipas Mursel Zymberit, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civilë. Sipas tij, Ligji për Pagat është favorizues për të fortët.
Në Interaktiv të KTV-së, Zymberi ka thënë se shërbyesit civilë janë trajtuar si vegël pune nga deputetët e të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës. Duke shprehur kërkesën që presidenti të mos e dekretojë ligjin dhe që ambasadorët e QUINT-it të bëjnë presion për këtë pikë, Zymberi nuk ka përjashtuar as mundësinë e dërgimit të rastit në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se janë zhgënjyer me faktin që pavarësisht premtimeve, nuk patën rritje të njëjtë të koeficientëve, si sektorët tjerë.
“Kemi menduar se me grevën dyditore e kemi dhënë mesazhin e plotë. Patëm takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, ku i kemi prezantuar dy kërkesat tona substanciale, të drejta, humane e aspak ngarkuese për buxhetin. E para ishte të niveloheshin pagat me sektorët tjerë të shërbimit publik. S’kemi kërkuar dallim, por nivelim në ngritjen e tanishme. Ngritja e fundit ishte 50 për qind për shëndetësi, 40 për qind për arsim, 30 për policë, 25 për shërbimin civil, kur ishte kryeministër Hashim Thaçi. Tani që filluan ngritjet, nisën nga aty ku janë pagat më të larta. Të shqetësuar ishim sepse ne ishim më të degraduarit në nivel të sistemit publik të pagave. Kryeministri premtoi rritje të pagave në nivel të koeficientit 0.2, e barazvlefshme me sektorët tjerë. Arsimi mbeti akoma në grevë, e për çudi pamë se në takim me sindikalistët doli kryeparlamentari dhe premtimi i kryeministrit ra poshtë sepse ngritja që ia premtoi arsimit ndodhi, por jo edhe e jona. Ata e meritojnë, por edhe ne. Nuk duam të shihemi si punëtorë teknikë. Kur i duhemi shtetit thonë se jemi motori i shtetit, e kur i duhet shtetit ta tregojë veten ndaj neve na lënë anash krejtësisht. Me këtë u pa qartë se ku është respekti i shërbyesve civilë te të përzgjedhurit tanë”, ka thënë ai.
Sipas Zymberit, me Ligjin për pagat është rritur hendeku mes pagave të sektorëve të ndryshëm në vend. Ka thënë se si sektor asnjëherë “s’kemi pasur afera që na njollosin, por na njollosën ata që duhet të na vlerësojnë”.
Ai ka thënë se deputetët dhe institucionet duhet të dinë që nëse shërbyesit civilë hyjnë në greva preken të gjithë qytetarët e vendit. Zymberi më tej e ka quajtur ligj për të fortët Ligjin për Pagat.
“Ky është ligj i të fortit. Ka ndodh kontrabandim i koeficientëve nga deputetët pa e përjashtuar asnjë parti. Kanë pasur interes të gjithë. Të gjithë mundoheshin të kishin dikë të vetin. Gjashtë mjekë e kanë mbrojtur shëndetësinë. Ne s’kemi asgjë kundër askujt”, ka thënë ai duke shtuar se një asistent teknik i Kuvendit të Kosovës e ka rrogën e barabartë me një drejtor në komunë. “Për çfarë parimi bazë po flasim”, ka shtuar ai.
“Jemi të indinjuar thellësisht në Kuvendin e Kosovës. Ama bash asnjë deputet s’e qeli gojën se ‘motori i shtetit’ nuk po vlerësohet baras me sektorët tjerë. E thonë se s’ka shtet efikas pa administratë publike efikase, të gjithë e përdorin si virtyt kur u duhet, por kur u duhet me ia dhanë hakun, nuk i hapin as telefonat. S’do koment sepse të fortët ishin dy-tre vetë e i ndanë votat. U bë ligj i të fortit”, ka përfunduar ai.
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...