Google ADS

Zona e Llapit, provë për të gjitha gjykatat në mungesë të forcës politike

10:04 | 13 Dhjetor 2018
V. S.

Personat e ftuar nga Gjykata Speciale po i vuajnë pasojat e institucioneve tona, të cilat nuk kanë ditur të lobojnë dhe të sqarojnë luftën e UÇK-së.

Kështu është shprehur ish-shefi i zonës operative të Llapit, Nuredin Ibishi.

Në një intervistë dhënë arbresh.info, Ibishi ka shpjeguar se ku ka dështuar diplomacia kosovare në kohën e raportit të Dick Marty, ndërsa ka ngritur shqetësimin që sipas tij janë luftëtarët e zonës se Llapit të cilët në çdo gjykatë po ftohen të parët.

“Tash kanë fillua ftesat e para për gjykatë, atëherë kom qenë kundër kësaj gjykate. Institucionet e vendit nuk kanë lobuar drejt për një sqarim. Dihet më vonë se Prokurori Amerikan pas hetimeve ka konstatuar se nuk ka  pas trafikim organesh. Na s’i kemi ikë drejtësisë, por është diçka që është bërë si drejtësi selektive sepse është dashur të përfshihen të gjithë nga forcat ushtarake,  paramilitare serbe e deri të ushtarët e UÇK-së të cilët kanë mundur të jenë të përfshirë. Jom taku me të ftuarit, ata kanë marr një ftesë, por nuk kanë pasur të caktuar në cilësinë se për çka janë të ftuar. Ne do t’i presim zhvillimet. Unë do t’i përgjigjem si gjithë bashkëluftëtarët e tjerë nëse më vije një ftesë e tillë. Mendoj se si tepër po ngritët shqetësim. Në zonën e Llapit po na bie çdo herë hise që të jemi të parët sepse s’kem qenë shumë në politik dhe po na marrin si provë, deri sa po ju vije radha e kryesoreve që kanë qenë në sistem. Ne që nga vitit 2002 si zonë e Llapit jemi nëpër gjykata edhe tash po fillon pikërisht me zonën ton, me siguri që na mungon forca politike dhe ne po merremi si provë. Po i bie se zonat e tjera po janë më të përkrahura,” shprehet Ibishi.

Tutje, ai ka treguar se  në një vend që nuk ka pasur as mjekë për trajtimin e ushtarëve të lënduar,  nuk ka mundur të ketë trafikim organesh.

“Sa kam qenë shef i shtabit, kur kom fillu trajnimet, tema e parë që kemi biseduar me ushtaret ka qenë katër konventat e Gjenevës për të drejtat e luftës.  Nuk po dum me paragjyku, asnjëherë nuk mundet të zhvlerësohet lufta e UÇK-së, nuk them që s’ka mujt më pas gabime, por jo këto akuza të cilat janë veshur. Mendoj që kur ka fillu ky epilog, diplomacia jonë ka dështu për të sqaruar këtë çështje. Ku ka qenë diplomacia jonë në atë kohë për të demantuar atë raport për trafikim organesh. Ne si kemi pasur as gjërat elementare për të shëruar të plagosurit, e lë më të bënim trafikim organesh. Zona e Llapit jo që s’ka pas trafikim organe por njerëzit na kanë mbetur të gjymtë për shkaka të mungesës se trajtimit sepse s’kemi pasur as mjek për shërimin e tyre. Ne s’kemi pasur burgje, as prokurori, as gjyqësi. Kemi pasur një vend që i kemi mbajtur disa persona në mbajtje për shkak të sigurisë dhe në fund janë lëshuar, por nuk ka pasur të burgosur sepse ne s’kemi pasur as prokurori, e ata që thojnë se ka pasur në Llap burgje le të tregojnë se ku”.

Derisa flet për votimin e ushtrisë në Kuvendin e Kosovës, të premten, ish-deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi, pret që të gjitha partitë e tjera me përjashtim të Listës Serbe të jenë pro transformimit të FSK-së.

“Grupi parlamentar e ka përkrah në vazhdimësi transformimin e FSK-së. Leximi i parë u krye dhe tashmë komisioni për Punë të Brendshme dhe të tjerat kanë dhënë miratimet. Ligji i FSK-së i ka 30 nene dhe ndahet në disa variante. Presim që në Kuvend të shkoj gjithçka ashtu siç duhet përveç Listës Serbe të tjerat do të jenë pro,” deklaron Ibishi.

Ndërsa për deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, se FSK-ja nuk e ka mbështetjen në këtë kohë, Ibishi shton se  deklarata e Stoltenberg është ndikuara nga pesë vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Qëllimi i këtij transformimi sipas Ibishit është integrimi në organizatat ndërkombëtare.

“Deklarata e Sekretarit të NATO-së, këtu është ndikimi i shteteve Evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Këto reagime vinë tu mos pas shumë informacion pasi që transformimi nuk do të ndodh tash   por do të jetë proces 10 vjeçar, do të ndërrohet nga misioni civil në ushtarak por jo tash. Shqetësim ka ngrit shkaku i pjesës veriore. FSK-ja ka mandatin e vet më kushtetuta dhe nuk duhet komentuar në rutinën e përgjithshme është marrëveshja e 2013 dhe ajo do të respektohet në një situata të rëndomta por jo kur rrezikohet hapësira territoriale. Është gabimisht e kuptuar sepse FSK-ja është e përkrahur nga NATO por është vetëm një qëndrim kundërshtues nga 5 shtete dhe kjo do të tejkalohet. Qëllimi i transformimit është edhe integrimi në organizatat rajonale të mbrojtjes. Të gjithë na kanë përkrah dhe nuk ka hezitim,” shprehet Ibishi.

 

Nesër, pritet të merret një prej vendimeve më të rëndësishme drejt themelimit të ushtrisë, me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo edhe të Aleancës Veriatlantike.

Pak ditë para votimit të projektligjeve që janë pjesë e pakos për transformimin e plotë të FSK-së në ushtri, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë ka ftuar të paraqiten pranë kësaj zyre mbi 100 persona, siç mëson arbresh.info.

Deri më tani dihet se ftesë nga ZPS-ja kanë marrë ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së Sokol Dobruna dhe Nazif Mehmeti, ish-epror i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit. /V.Selimi/Arbresh.info/

 

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/392636501475051/?notif_id=1544623309574221&notif_t=live_video_explicit

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme