Ideja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare çdo ditë e më tepër po merr formë. Dhe jo vetëm pse po e kërkon opozita. Por, sepse po përmendet edhe nga partnerët e koalicionit qeverisës. Opozita po përgatitet për zgjedhje, ndërsa kryeministri beson se do ta çojë deri në fund mandatin. Kurse analistët thonë se duhet gjetur një zgjidhje e të mos shkohet në zgjedhje.
Për zgjedhjet e parakohshme, nuk po flet vetëm opozita, por madje edhe përfaqësues të partive të koalicionit qeverisës. Sidomos në Kuvendin e Kosovës, i cili ka kohë që po funksionon me vështirësi për shkak të mungesës së numrave. Kryeparlamentari Kadri Veseli madje të hënën pati një polemikë jo me opozitarë, por me deputetin e Nismës, Zafir Berisha, i cili tha se më mirë është të shkohet në zgjedhje.
“Zafir, veç voto. Katër vota i duhen opozitës. Po të them publikisht. Ti dhe dy a tre i ke atje. Por, po frikësohem se më së shumti ata frikësohen të shkojnë në zgjedhje, bashkë me opozitën”, ka thënë Veseli.
Partia opozitare, LDK, është më e zëshmja për zgjedhje të parakohshme, ndërsa po përgatitet për një mocion për rrëzimin e Qeverisë, por kjo nuk dihet kur do të ndodhë. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, megjithatë, shprehet i bindur se mocioni do të ketë mbështetje madje edhe nga deputetë të koalicionit qeverisës.
“Sigurisht që ne nuk kemi heq as nuk do të heqim dorë nga kjo e drejtë demokratike dhe mbi të gjitha nga kjo nevojë e qytetarëve për të shkuar në zgjedhje dhe mbi të gjitha nga kjo nevojë e qytetarëve për të shkuar në zgjedhje dhe për të ardhur një qeverisje që e ka votën e qytetarëve”, tha Beqiri për Radio Kosovën.
Deri te një situatë e tillë, kur Kuvendi si institucion më i lartë ligjvënës është kryesisht i bllokuar, sipas analistit politik Imer Mushkolaj, ka ardhur pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik.
“Unë besoj se ka mundësi të mos shkohet në zgjedhje dhe të krijohet një zgjidhje brenda konditave të tashme, por kjo situatë e bllokimit po i konvenon dikujt. Në këtë rast nuk është se nuk po i konvenon as opozitës, një pjesë e së cilës nuk është e interesuar për zgjedhje, por më së shumti po i konvenon partive në pushtet, pavarësisht që po shprehen të gatshme që të shkohet në zgjedhje”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Megjithë kërcënimet për zgjedhje të parakohshme, kryeministri Ramush Haradinaj beson se do ta çojë mandatin deri në fund.
“Kur e ka vendos Kuvendi ta rrëzojë Qeverinë e rrëzon, unë e kam vendos të punoj për aq sa jam në punë, nuk i marr shumë afër zemrës këto diskutimet. Po më duket se do ta kryej mandatin”, ka thënë Haradinaj.
Që nga shpallja e pavarësisë, janë mbajtur tri palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj./Radio Kosova/
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...