Xhihadistët kishin pranuar nga ISIS 9,000 euro për hedhjen në erë të kishës në Graçanicë dhe Mitrovicë

14:11 | 10 Tetor 2018
Arbresh.info

Mbi gjashtë muaj hetime të Prokurorisë Speciale të Kosovës kanë zbardhur planet e një grupi i cili dyshohet se është i lidhur me ISIS-in për të kryer sulme terroriste në Kosovë, Francë e Belgjikë.

Hetimet e Prokurorisë kanë zbardhur se grupi i lidhur me struktura të larta të ISIS-it kishte ndërtuar plane për të destabilizuar Kosovën dhe sjellë atë në gjendjen e vitit 2004.

Ndërsa për ta arritur këtë qëllim grupi kishte ideuar sulme në diskoteka në Graçanicë, sulme mbi Kishën Ortodokse në Mitrovicën e Veriut e deri tek sulmet vetëvrasëse mbi KFOR-in.

Pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 6 personave për vepra penale që lidhen me terrorizmin, KALLXO.com sjell detaje për pretendimet e Prokurorisë për mënyrën e organizimit të këtyre personave, planet për sulme terroriste, mënyrën e përzgjedhjes së vendeve dhe kohën kur do të sulmohej, pasojat që synoheshin të shkaktoheshin si dhe mënyrën e financimit të këtyre aktiviteteve terroriste.

Njëri nga të akuzuarit e Prokurorisë, Bujar Behrami në mbrojtjen e tij të dhënë në Polici më datë 12 shtator 2018 ka pranuar veprimet e tij inkriminuese duke shpalosur të dhëna tjera në lidhje me mënyrën se si ka ardhur ideja për sulme, nga ku parashihej të vinin paratë, si rekrutoheshin personat për sulme, çfarë armë zjarri e çfarë eksplozivë e mjete tjera do të përdoreshin për kryerjen e këtij sulmi.

Financimi i grupit

Prokuroria ka arritur të siguroj prova se një shumë prej rreth 9 mijë eurosh ishte transferuar në Kosovë për të financuar grupin e dyshuar. Skema e tyre ishte që të përdornin fonde të IS-it për të financuar grupin.

Në dëshminë e tij Behrami thotë se financimin e ka bërë Abu Ahmed përmes personit A4, ndërsa paratë do të dërgoheshin nga ish vendet Sovjetike si Kirgistani, Rusia apo Uzbekistani. Në transaksionet e parave nuk përmendet se grupi kishte arritur të blinte eksploziv apo materiale të rrezikshme të cilat mund të përdoreshin për sulmet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme