Xhemajlaj: Haradinaj ka qenë korrekt me Nismën

00:19 | 4 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Isa Xhemajlaj, zëvendësministër në detyrë i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se nuk i di krejt arsyet që e kanë shtyrë Ramush Haradinajn të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit e ta çojë vendin në zgjedhje.

“E dinte opinioni që kjo qeveri nuk mund të çonte deri në fund mandatin. Është dashur që paraprakisht të bisedojë me pjesëtarët e koalicionit, Nismën e PDK-në dhe AKR-në. Detajet tjera i din mirë Fatmir Limaj, por ka qenë e rrugës të njoftojë partnerët e të bëjë arsyetim”, ka thënë ai.

“Për rikonfigurim e dimë që s’ka pasur kushte për shkak të numrit të vogël të deputetëve në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë më tej ai.

Kur është pyetur se a ka qenë korrekt në bashkëpunim me Nismën, Ramush Haradinaj, ai ka thënë se nuk mund të thotë se ai s’ka qenë korrekt, deri kur ka dhënë dorëheqje pa e bërë llaf me Limajn.

“S’them se s’kanë qenë deri në momentin e dorëheqjes. Është dashtë me informu. Secili përgjigjet për veprimet veta. Ne përgjigjemi për korrektësinë tonë dhe mbajtjen e fjalës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se koalicioni i nga Nismës Socialdemokrate të Kosovës, parti të cilës ai i takon, e ka pasur të rëndësishme që koalicionet parazgjedhore t’i bëjë me ato parti që do të jenë në gjendje të përkrahin kryetarin e saj, Fatmir Limajn për kryeministër të Kosovës.

“Është një parti stabile, që për një kohë të shkurtër ka arritur të sigurojë përkrahjen e partive të tjera për kandidatin e saj”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së, duke thënë se ende janë në hartim e sipër të programit të përbashkët.

Ai është kthyer prapa duke thënë se koalicioni i Nismës me PDK-në, përmes koalicionit paraprak me AAK-në në zgjedhjet e kaluara nuk ishte i pëlqyer nga të gjithë anëtarët e Nismës.

“Koalicioni me PDK-në ka sjellë njëlloj dridhje, sepse jo të gjitha degët e Nismës kanë qenë 100 për qind të gatshme që të bëjmë koalicion me PDK-në. Ajo që kemi bërë ne ka qenë që e kemi mbajt fjalën që ia patëm dhënë AAK-së dhe z. Haradinaj. Ne themi, me i qëndru prapa asaj që e kemi dhënë besën”, ka thënë Xhemajlaj, përcjell Koha.net. “Ne ia kemi dhënë fjalën që do ta përkrahim z. Haradinaj dhe e kemi përkrahur, por me dorëheqjen e z. Haradinaj ka përfunduar edhe kjo marrëveshje”, ka shtuar më tej.

Xhemajlaj ka thënë se për këto zgjedhje ka pritur edhe “Aleanca e Haraidnajt, që ne të jemi në mbështetje të tyre, ka pritur edhe PDK-ja edhe parti të tjera njësoj, por mendoj se si parti kemi ardhur në një stad tjetër, që nuk mbështesim të tjerët”, ka thënë ai.

Xhemajlaj ka thënë se bashkimi i Nismës me cilëndo parti e shpallte një fitues para zgjedhjeve.

“Por me ardhjen e AKR-së, u krijua një bosht përreth Nismës. Jemi në një situatë shumë më të mirë se sa në vitin 2017”, ka thënë ai.

Përplasjen e mëhershme të kreut të Këshillit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, me kreun e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e ka neutralizuar se të tilla kanë pasur në të kaluarën edhe Vetëvenodje me Albin Kurtin, Nisma me PDK-në e të tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme