VV: Qeveria, fajtori kryesor i grevës së mësimdhënësve

13:45 | 14 Janar 2019
V. S.

Ismaj Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se nesër do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e këtij komisioni për të diskutuar grevën e mësimdhënësve.

Sipas Kurteshit edhe pse Kuvendi ende nuk e ka filluar sesionin pranveror kjo mbledhje do të mbahet nesër.

“Përkundër faktit që Kuvendi është ende në pushim ne nesër do ta thërrasim mbledhjen e Komisionit për Arsim ku do ta diskutojmë situatën në arsim pas shkuarjes në grevë të mësimdhënësve”, tha Kurteshi.

Sipas tij këtë grevë nuk e deshën as vetë mësimdhënësit por erdhi si rezultat i keqqeverisjes i qeverisë aktuale.

“Sikur qeveria mos t’i rriste rrogat  e veta dhe disa sektorëve pa asnjë analizë paraprake që nxiti shumë sektor nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë krijuar gjithandej”, shtoi Kurteshi duke fajësuar qeverinë.

Edhe deputetja Arbërie Nagavci nga LVV, tha se një ndër shkaktarët kryesor të kësaj greve është projektligji për pagat.

“Një ndër shkaktarët kryesor të kësaj greve është projektligji për pagat. Vitin e kaluar është miratuar në qeveri i njëjti është votuar në lexim të parë në Kuvend… Vetë koalicioni qeverisës e ka pengu punën drejt finalizimit të ligjit për paga”, thotë Nagavci.

Ajo si shkaktar të rezultateve në arsim i sheh ndërhyrjet partiake.

“Situata në arsim përfshi edhe rezultatet e testit pisa janë si rezultat i ndërhyrjeve partiake”, tha ajo.

Nagavci tha se problemi kryesor është kaosi me paga, ku ka pabarazi, diskriminim në kategori të caktuara, etj.

“Qeveria me vendimet e saj të papërgjegjshme nuk ju ka lënë zgjidhje tjetër. Vetë MASHT-i është bërë çerdhe për punësim të militantëve”, përfundoi Nagavci.

Greva e mësimdhënësve ka filluar me kërkesat që koeficienti i pagës për mësimdhënës të ndryshoj, në Ligjin për Paga që është në procedim.

Sipas sindikatës, pagat e parapara për mësimdhënës janë të padinjitetshme për punëtorët e arsimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme