VV pro formimit të ushtrisë, por prioritet i jep seancës së jashtëzakonshme të opozitës

17:50 | 15 Shtator 2018
Arditë Shkodra

Qeveria e Kosovës ka bërë miratimin e pakos së projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e FSK-së.

Deputetja Drita Millaku nga Lëvizja Vetëvendsoje, për lajmi.net thotë se partia e saj e vlerëson se formimi i ushtrisë është urgjente mirëpo fillimisht duhet të zhbllokohet parlamenti dhe të mbahet seanca e jashtëzakonshme e opozitës e pastaj të bisedohet për mënyrën e votimit të Ligjit për ushtrinë.

‘’Së pari dua të ceki se është e dhimbshme se si që nga paslufta po formojë gjysëm institucione dhe në fund na del se edhe ky shtet po i ngjason gjysmështeti dhe kjo si rezultat i politikave të gabuara të politikanëve tane.  Ne si LVV kemi potencuar disa herë se ushtria është diçka urgjente. Është shumë e rëndësishme që ushtria të bëhet me ndryshime Kushtetuese. Së pari duhet të zhbllokohet parlamenti nga pozita dhe duhet të mbahet seanca e jashtëzakonshme në lidhje me rezoluten e opozitës dhe pastaj të bisedohet për mënyren e votimit të Ligjit për ushtrinë.Kjo nuk është në rregull, në njërën ane flitet për ndërrim kufijsh e në anën tjetër për ushtri. Loja e kësaj klase e qeveritarëve po vazhdon në dëm të Kosovës’’, përfundon Millaku.

Edhe bashkëpartiaku i saj, Xhelal Sveçla e pohon një gjë të tillë madje duke shtuar se në parim LVV është pro formimit të ushtrisë.

“Ne kemi thënë se në parim mbështesim krijimin e ushtrisë së Kosovës si diçka e drejtë dhe e nevojshme për shtetin tonë. Pasi t’i marrim projektigjet nga qeveria, ne do t’i analizojmë dhe do të marrim qëndrim mbi to’’,  tha deputeti Sveçla./lajmi.net.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme