Vulin kundër ministres së re të Bujqësisë: Nuk i përfaqëson serbët nga Kosova

11:01 | 26 Shkurt 2019
V. S.

Aleksandar Vulin ka thënë se ministrja e re e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Dijana Zhiviq nuk i përfaqëson serbët nga Kosova

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin ka thënë se ministrja e re e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Dijana Zhiviq nuk i përfaqëson serbët nga Kosova sepse nuk e mori mbështetjen e tyre në zgjedhje.

Por, sipas tij, ajo i shërben Qeverisë nga Prishtina për përfaqësim multietnik.

Në deklaratën e tij për “TV Pink”, ai theksoi se Zhiviq ka ndikim tek serbët në Kosovë aq sa kishte nxjerrë njerëz në protestën në Graçanicë kundër zyrtarëve nga Beogradi, ajo dhe pesë, gjashtë persona, transmeton lajmi.net.

“Nuk është e pazakonshme që të kërkohet një serb për t’u emëruar në atë pozitë vetëm për të qenë shembull i përfaqësimit multietnik”, deklaroi Vulin. Ai po ashtu theksoi se e ngjashme është edhe inkuadrimi i serbëve në ushtrinë e Kosovës.

“Pyetem a është i vetëdijshëm ai serb që hyn në atë ushtri dhe do të marshojë me flamurin e UÇK-së, duke u ftuar në traditat e një organizate terroriste e cila kishte vrarë familjarët e tij”, theksoi ai. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme