Google ADS

Vuçiq shfaq frikë nga delegacioni kosovar në Munih

18:41 | 15 Shkurt 2019
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Prishtina ka sjellë gjithkënd që ka mundur në Konferencën e Sigurisë në Munih.

Sipas mediumit serb “b92”, përcjell Telegrafi, ai gazetarëve serbë, gjatë një pauze të takimeve në margjinat e konferencës së sigurisë në Munih, ka thënë se e ka takuar shkurt Enver Hoxhajn, por se aty janë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

“Ata janë duke bërë një punë serioze, kanë këtu në Munih një konsull të jashtëzakonshëm, kanë sjellë të gjithë ata që kanë mundur, por dhe Hoxhajn, për shkak se e flet në mënyrë të përsosur gjuhën gjermane. Kjo nuk është për t’u nënvlerësuar… Ata thonë atë çfarë evropianët duan të dëgjojnë”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb ka shtuar se sonte deri në orët e vona ka për të punuar në atë që është më e mira për të marrë nga Serbia në panelin e nesërm, në të cilin marrin pjesë bashkë me Hashim Thaçin.

“Ne do të themi, natyrisht, të vërtetën, por ne do të zgjedhim taktikat më të mira për Serbinë”, tha ai.

Ai ka folur edhe rreth platformës së dialogut të hartuar nga Prishtina, për të cilën ka thënë se “Platforma shqiptare është kundër dialogut”.

“Ata thonë se – çdo gjë duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e tyre, që duhet të ruhet, siç thonë ata, integriteti territorial dhe sovraniteti”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme