Vuçiq: Nëse nuk arrihet marrëveshja me Kosovën, do të jetë një fatkeqësi

23:59 | 4 Mars 2019
Trina Galanxhi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur fatkeqësi mosarritjen e një marrëveshjeje me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se mosarritja e një marrëveshjeje me Kosovën, do të ishte një fatkeqësi, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, marrëveshja me Kosovën mund të arrihet vetëm me ndihmën e Rusisë, Amerikës, Kinës e vendeve të tjera.

“Nëse nuk arrihet një marrëveshje kompromisi për Kosovën, do të jetë një fatkeqësi. Edhe pse gjithçka duket e vështirë dhe nganjëherë e pamundur, jemi të vendosur të arrijmë një kompromis, jam i sigurt se mund të arrijmë një zgjidhje me ndihmën e miqve tanë evropianë dhe me mbështetjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vendeve të tjera”, tha presidenti i Serbisë.

Në një intervistë dhënë për agjencinë italiane “ANSA”, Vuçiq përsëriti se Serbia nuk do të vazhdojë dialogun me Kosovën derisa autoritetet kosovare nuk e shfuqizojnë taksën prej 100 për qind mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas tij, Serbia është duke u përkujdesur në maksimum që të mos rrezikojë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në këtë mënyrë edhe nuk ka marrë kurrfarë mase ndaj Kosovës që prej vendosjes së taksës.

Vuçiq në këtë intervistë ka thënë se vlerëson rolin ndërmjetësues të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ndryshe nga Kosova ku siç tha ai, është mjaft kritike ndaj Brukselit.

“Problemet janë midis serbëve dhe kosovarëve. Nuk mund të kritikohet Evropa pasi që ajo ka bërë për ruajtjen e paqes”, u shpreh Vuçiq.

Vuçiq në këtë intervistë ka folur edhe për problemet e brendshme politike që është duke u përballur Serbia kohëve të fundit, e në veçanti me protestat që janë duke u zhvilluar kundër tij.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme