Pajtim Mula, i akuzuar për keqpërdorim të së drejtës së votimit, është dënuar me një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Burim Ademi, dhe dy antarët Lidja Vuqoroviq e Rafet Ismaili, ky dënim me burgim nuk do të ekzekutohet nëse Mula në periudhën prej dy vjetësh nuk kryen asnjë vepër tjetër penale.
Gjyqtari Ademi gjithashtu ka njoftuar të akuzuarin Mula se ndaj këtij aktgjykimi ka të drejtë ankese brenda afatit të caktuar ligjor.
Paraprakisht në seancën e mbajtur sot në gjykatën e Mitorvicës i akuzuari Pajtim Mula, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej, ndërsa në fjalën përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga kjo akuzë pasi, sipas tij, nuk ka votuar dy herë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë e akuzonte të pandehurin Pajtim Mula se në zgjedhjet e 8 qershorit 2014, në shkollën “Migjeni” në fshatin Klladernicë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka votuar si votues me kusht, edhe pse më parë kishte votuar si votues i rregullt në shkollën “Skender Skenderi”, në fshatin Vojnikë të Skenderajt.
Me këtë, Mula akuzohej se ka kryer veprën penale ”keqpërdorimi i të drejtës së votimit ”.
Ndërsa pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, gjykata e Mitorvicës ka shpallur aktgjykimin e lartëcekur.
Pas shpalljes së aktgjykimit, në arsyetimin e dhënë shkurtimisht, gjyqtari Burim Ademi tha se pas administrimit të provave dhe mbajtjes të shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën është ngarkuar nga prokuroria.
Gjykatësi ka shtuar se gjatë caktimit të masës dhe lartësisë së dënimit, Gjykata ka pasur parasysh rrethanat se nga periudha kur është kryer vepra penale e deri tani ka kaluar periudha prej katër vjetësh, dhe se “i akuzuari nuk njihet si person që bie ndesh me ligjin”. /Kallxo.com/
Kevini flet me banorët për debatin me Xuxin
Gjermanisë i nevojiten rreth 288.000 punonjës të huaj deri n...
Vuçiq pyetet për rrezikun real të një lufte me Kosovën: Më k...
Dabiqaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...