Google ADS

Votimi i sotëm në PE për liberalizimin e vizave, pa efekt praktik

16:33 | 28 Mars 2019
Arbresh.info

Parlamenti Evropian edhe njëherë ka votuar me 331 vota pro iniciativës së euro-deputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Por, ky votim nuk do të thotë se Kosova do ta fitojë lëvizjen pa viza së shpejti, shkruan arbresh.info.

Sipas Demush Shashës nga instituti EPIK,  kjo është një deklaratë politike në përkrahje të liberalizimit, por që nuk ka asnjë efekt praktik, sepse Parlamenti Evropian e ka treguar tashmë vullnetin politik, por problemi qëndron tek bindja e vendeve anëtare.

“Vendimi i votuar është deklaratë politike në përkrahje të liberalizimit për Kosovën. Nuk ka asnjë efekt praktik, pasi që Parlamenti Evropian që moti ka treguar vullnet politik për të siguruar liberalizimin e vizave për Kosovën. Problemi qëndron tek mos bindja e vendeve anëtare se janë plotësuar kriteret, në veçanti kriteri i luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj, duke qenë se Këshilli i BE-së apo vendet anëtare janë vendimmarrëse, vendimi në PE nuk ka ndonjë peshë praktike, pasi që Këshilli i BE-së nuk është duke dhënë sinjale që dëshiron të vazhdojë tutje me liberalizim të vizave për Kosovën në mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj me fjalë të tjera është një gjest politik i mirë i PE si përkrahës i vazhdueshëm i agjendës evropiane të Kosovës, por pa efekte praktike”, tha për arbresh.info Shasha.

Më parë Parlamenti Evropian e ka votuar një rezolutë që kërkonte nga vendet e BE-së heqjen e regjimit të vizave për kosovarët sipas rekomandimit të Komisionit Evropian. Rezoluta e BE-së nuk ka bindur disa ministra të Brendshëm të vendeve të BE-së për të mundësuar aprovimin në mekanizmin e fundit që do të mundësonte liberalizimin e vizave për kosovarët./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme