Vjen reagimi i Pacollit, pas përplasjes me ministrin boshnjak, për taksën prej 100%

00:49 | 1 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se është e “çuditshme lehtësia me të cilën Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nisen e na akuzojnë”.

“Këtë e bëjnë në sy dhe prapa syve tanë, e bëjnë në lindje e perëndim. Boll është boll, u tha para edhe se ta shpallnim pavarësinë, është koha që edhe BE ta afirmojë faktin që e ardhmja e qëndrueshme e marrëdhënieve korrekte dhe konstruktive kalon përmes kushtëzimit të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, me pranimin e faktit që Kosova është realitet shtet i pakthyeshëm”.

Pacolli në një postim në Facebook ka thënë se Kosova duhet të sillet si shtet i barabartë mes shteteve të rajonit.

Madje, ai ka thënë se as Serbia dhe as Bosnja dhe Hercegovina nuk e kanë me taksën 100 %.

“Ne mirëkuptojmë rëndësinë e ruajtjes së frymës konstruktive, këtë po e bëjmê në secilin rast, por nuk mund të pranojmë asnjë situatë, që të mos sillemi brenda dhe ndërkombëtarisht sikurse na takon, si shtet i barabartë nê mesin e shteteve tjera në rajon”.

“Serbia dhe BeH që na akuzojnë për sjelljen shtetërore reciproke përmes takses, le ta dijë secili kudo, se as njëra e as tjetra nuk e kanë me taksën per se, por më shumë e kanë hall të na fusin nê kurthin e të sjellurit si kuazi-shtet.

Ky ishte thelbi i asaj çfarë refuzova sot në WB6, dhe këtë ia thashë homologut tim nga BeH”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është duke qëndruar në Budvë të Malit të Zi, ku po përfaqëson Republikën e Kosovës në takimin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit perendimor WB6.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme