Google ADS

Vitin tjetër nis ndërtimi i Spitalit të Prishtinës

13:12 | 4 Nëntor 2018
V. S.

Qytetarët e Prishtinës duhet të shkojnë në QKUK apo në qendrat e mjekësisë familjare të kryeqytetit, sa herë që kanë probleme shëndetësore. Kjo pasi Prishtina nuk ka spital. E kjo gjendje do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, sepse “Spitali i Prishtinës” i premtuar tash e disa vite,  do kohë deri sa të ndërtohet.

Qyteti pa lum, mund të quhet edhe qyteti pa spital të vetin. Në mungesë të këtij spitali, qytetarët e Prishtinës për ҫdo kontroll mjekësore duhet  t’u drejtohen qendrave të mjekësisë familjare, apo edhe QKUK’së.

Spitali i Prishtinës, i cili në fushata zgjedhore premtohej si projekt i madh, ende nuk ka nisur të ndërtohet, e kjo pritet të bëhet gjatë vitit 2019.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë për Express se fillimisht është duke u kryer studimi i fisibilitetit, për të cilin janë në dispozicion 200 mijë euro, ndërsa 4.1 milionë tjera janë ndarë për periudhën kohore 2018-2020.

“Studimi i fisibilitetit do të përcaktojë kapacitetet që duhet t’i ketë spitali, përfshirë edhe resurset e infrastrukturës (pajisjet, shtretërit…) dhe resurseve njerëzore (mjekë, motra, staf jo-mjekësor, etj.)”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.

Komunës së Prishtinës ende nuk e ka caktuar lokacionin ku do të ndërtohet spitali, ndërkaq kohën se klur do të nisin ndërtimet do ta bëjë në bashkëpunim me MSH’në. Studimi i fisibilitetit do të bëhet për të parë kapacitetet që duhet t’i ketë spitali në raport me numrin e banorëve të kryeqytetit.

“Kohën e fillimit të ndërtimit do ta përcaktojnë MSH dhe Komuna e Prishtinës, por synimi është që kjo të ndodh vitin tjetër. Ka hapa që duhet ndjekur në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës”, kanë theksuar nga MSH’ja.

Ndërkaq miratimi i Ligjit për Prishtinën, ka qenë ai i cili e ka vonuar deri më tani ndërtimin e këtij spitali. Ky ligj është votuar në Kuvendin e Kosovës në maj të këtij viti.

Prishtina sipas këtij do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme