Vettingu, është procesi i verifikimit që synon përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës.
Ky ligj po konsiderohet mëse i nevojshëm në Kosovë, në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.
Verifikimi po shihet si i domosdoshëm sidomos për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale në përgjithësi, ndërsa një proces i tillë i fundit që u krye në Kosovë është ai i vitit 2010, i cili la jashtë 45 gjyqtarë e prokurorë, shkruan lajmi.net.
Por ditë më parë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, u shpreh në favor të zhvillimit të një procesi të ri Vettingu në sistemin e drejtësisë në Kosovë si parakusht që të rikthehet besimi i kosovarëve në këtë sistem.
“Kosova do ta di saktë se cili do të jetë drejtimi që do ta marrë në këtë process, në qershor të vitit të ardhshëm”, tha ai.
Lidhur me këtë, nga Agjencia Kundër Korrupsionit u tha për lajmi.net se së pari duhet të vlerësohet drejtë, nevoja e një verifikimi të ri në mënyrë që procesi të jetë i suksesshëm.
“Para se të iniciohet, duhet të vlerësohet drejtë nevoja ashtu që të kemi në fund një proces të suksesshëm të bazuar mbi një vlerësim paraprak të rrezikshmërisë dhe ndjeshmërisë. Prandaj, çdo mjet i cili vlerëson rrezikshmërinë dhe cenueshmërinë e ushtruesve të funksioneve publike i shërben pa dyshim parandalimit dhe luftimit te korrupsionit dhe sundimit të rendit dhe ligjit. Nëse vlerësohet nevoja për fillimin e tij, atëherë procesi duhet të ketë të qartë edhe afatet dhe kohëzgjatjen, ashtu që të ruajë rëndësinë e procesit si të tillë”, tha Shaip Havolli, drejtor i AKK-së.
Sipas tij, një proces i tillë do të ishte i mirëseardhur për Kosovën pasi që do të bëhej filtrimi i personave që do u besoheshin funksionet publike dhe rritja e integritetit të instucioneve publike, në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve.
“Agjencia Kundër Korrupsionit është e gatshme të japë kontributin në kuadër të mandatit dhe kompetencave të saj, në këtë proces dhe në të gjitha proceset të cilat parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin në administratën publike, institucionet e sundimit të ligjit dhe korrupsionin në Kosovë në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për lajmi.net.
Për avokatin Tomë Gashi, verifikimi i vitit 2010 u bë në mënyrë thuajse sipërfaqësore.
“Për vettingun e kaluar u ndanë rreth 6 milionë euro nga SHBA-të dhe shtetet tjera mike të Kosovës, dhe në teste kishte pyetje të tilla si, a është etike që një prokurorë apo gjyqtarë të qëndrojë në ambiente të njejta me ata që nesër do i gjykojë. Kësaj pyetje mund të i përgjigjeshin edhe fëmijët në qerdhe”, vlerësoi ai.
Andaj Gashi kërkon që Vettingu i ardhshëm të kryhet duke u bazuar në atë të Shqipërisë, të meret legjislacioni i tyre, pasi që kanë më shumë se dy vjet që merren me mënyrat se si duhet të kryhet një verifikim.
Sipas tij, modeli i Shqipërisë është i vetmi që mund të jetë funksional për Kosovën.
“Vettingu duhet të bëhet në gjuhën teknike ‘copy-paste’ prej asaj që është duke ndodhur në Shqipëri, në mënyrë që mos të humbim kohë e as para dhe thjesht të meret legjislacioni i tyre e të aplikohet në Kosovë meqenëse kemi të bëjmë me mentalitet e popull krejtësisht të njejtë. Duhet të verifikohen edhe lidhjet e dyshimta e të papërshtatshme të zyrtarëve të pushtetit të drejtësisë”, tha ai për lajmi.net.
Se modeli i Shqipërisë mund të përdoret edhe për Kosovën e thotë edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
“Asnjë model nuk mund të miret ‘blanco’, duhet të analizohet dhe t’ia përshtatim kushtet e rrethanave me sistemin tonë”, vlerësoi Murati.
Murati për lajmi.net tha se një proces i tillë nuk ka dyshim që është vonuar, dhe se për këtë arsye shoqëria kosovare duhet të kërkojë urgjentisht fillimin e tij.
“Është mënyra e vetme që ne të kemi përsëri besim në institucionet e drejtësisë. Ajo çka duhet t’i mbetet partive politike e parlamentit është gjetja e modelit më të mirë të procesit të vetingut. Nuk e duam një vetting pa efekt, por një të tillë që ne do të kemi besim në atë proces”, tha ai.
Sipas Muratit, një proces vettingu nuk është i domosdoshëm vetëm në drejtësi por edhe në institucionet tjera qeveritare.
“Vettingu është i nevojshëm edhe në institucionin e policisë, por ai në institucionin e AKI-së është i domosdoshëm qysh para një kohe. Kemi nevojë për rishikim të inspektorit me koncensus dhe me pajtushmëri të modeleve më të mira që ta kthejë besimin e shoqërisë në institucione”, tha ai.
Theksojmë se vetting ndaj sistemit të drejtësisë ka kërkuar përmes protestës shoqëria civile, pas rastit të prokurorit Elez Blakaj me listat e veteranëve të luftës, derisa edhe përfaqësues të BE-së ka deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen e tyre nëse duan ta realizojnë edhe një proces të verifikimit.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur se nuk do të përkrahë ndonjë proces të Vettingut në drejtësinë e vendit, por vetëm i ka ftuar zyrtarët institucional të punojnë në bazë të ligjit.
Ndryshe, procesi i Vettingut si rregull kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune, ndërsa si proces bazohet në vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figurës, vlerësimin e aftësive profesionale ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e tij. /Lajmi.net/
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës