Ani pse që nga formimi i Qeverisë Haradinaj, Lëvizja Vetëvendosje kishin kërcënuar me protesta, deri tash kanë mbajtur vetëm një më 29 shtator.
Protestë kjo e cila ishte paqësore dhe pa ndonjë rezultat.
Ndonëse kjo parti paralajmëroi edhe protesta të tjera, mos bashkëngjitja e partnerit të saj opozitar, LDK-së, ka bërë që Qeveria Haradinaj deri më tash të vazhdojë ritmin e saj normal.
Por kësaj qetësie duket se do t’i vije fundi, shkruan arbresh.info.
Të paktën kështu paralajmëroi gjatë ditës së enjte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Që kjo protestë të jetë edhe më reale, Lëvizja Vetëvendosje tashmë kanë filluar tubimet me simpatizuesit e saj në të gjitha qytetet e Kosovës.
Por, krejt këtë paralajmërim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit e ka quajtur hipokrizi, Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA-së, Bilall Sherifi.
Përmes një shkrimi të tij në rrjetin social “Facebook” e kishte quajtur hipokrit Kurtin.
“Mjafton të jesh në pushtet që Albin Kurti të të shpallë “hajn”, “kriminel”, “tradhtar” madje edhe “ARGAT i SERBISË”!
Sapo të “zbresësh” nga pushteti ku ke “vjedhë”, ku “ke tradhtuar interesat e vendit duke bërë Argatin e Serbisë”, ai të vjen në shtëpi dhe të ofron PARTNERITET për të ardhur së bashku në pushtet!
Hipokrizia nuk ka brirë” kishte shkruar deputeti Sherifi në llogarinë e tij.
Se a janë të gatshëm LDK-ja si parti opozitare, për ta përkrahur Vetëvendosjen në këtë aspekt, ende ka mbetur e paqartë.
Pasi në një prononcim për arbresh.info, Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, nuk ka pranuar që ta komentojë organizimin e kësaj partie për mocion mosbesimi ose për protesta kundër Qeverisë Haradinaj.
“Zotëri Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deklarata e tij ka qenë në cilësinë e VV-së dhe gjitha organizimet janë në emër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk mund të flas për veprimet e një partie tjetër”, ka thënë Mustafa.
E nga ata që dikur ishin të pandarë në protesta e organizime, tani pas përçarjes mes vete nuk ka asnjë koment.
Të kontaktuar nga Arbresh.info, nga Partia Socialdemokrate nuk është marrë asnjë përgjigje deri më tani.
Por, një protestë të organizuar nga opozita, po e sheh si një iniciativë të mirë analisti politik, Faik Krasniqi.
Ai tha se ideja e Vetëvendosjes për organizim protestash, është e mire, sepse sipas tij kjo Qeveri është e pangopur dhe duhet që të rrëzohet menjëherë.
“Gjendja në Kosovë është shumë e keqe në çdo aspekt. Prandaj, protestat janë të pashmangshme. Është veprim i mire i Vetëvendosjes që ka paralajmëruar protesta për rrëzimin e kësaj Qeverie. Jo vetëm Vetëvendosja, por gjithë opozita duhet ta mobilizoje popullin për rrëzimin e kësaj Qeverie. Kjo Qeveri nuk do të kenë të ndaluar me vjedhjen e parasë publike dhe punësimet e çmendura familjare dhe partiake, nëse nuk rrëzohen nga pushteti. Janë të pangopura. Edhe po dalin hapur që këto çmenduri s’do të ndalen. E kemi parë në media deputetin Demaliaj që thoshte se çdo anëtar të AAK-së do ta punësonte nëse do te kishte mundësi. Shteti këtyre ju duket si prone e tyre private. Prandaj edhe ashtu veprojnë, sepse atë mendësi e kanë”, tha ai
Sipas tij, nëse ka protesta masive kjo Qeveri mund të bie edhe pa ngritur mocion.
“Protestat mund rrëzojnë Qeverinë edhe pa ngritur mocion në Kuvend sepse është mbushur kupa, por ato duhet te jenë masive dhe mos të ndalen derisa ajo te bie”, tha ai.
Por, për analistin tjetër, Blerim Burjani Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka më të njëjtin ndikim edhe nëse organizon protesta.
Sipas tij, ky subjekt politik ushtron këto politika kërcënuese vetëm për të arritur deri në pushtet.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është më subjekt politik me ndikim, ky subjekt pa kuadër politik por me militant qe zbatonin urdhra të prera të prijësit të saj, subjekt i përçarë dhe ndarë ne dysh nuk përbenë një subjekt serioz edhe ashtu ishte subjekt qe mbetej aktive ne skene përmes problemeve me rendin dhe ligjim, te njëjtën gjë gjithmonë e bëjnë, sillen njëjtë. Pra sërish VV-ja ushtron politike kërcënuese ndaj te gjithë skenës politik pa dallim, për interesa të marrjes së pushtetit”, tha Burjani.
Ndërsa për ndalimin e këtyre dukurive të dëmshme në Kosovë, Burjani tha se Opozita duhet të dalë me një platformë të qartë, pasi vetë VV-ja nuk mund të arrijë asgjë vetëm, për shkak se siç thotë ai kjo parti ka humb besimin e qytetarëve.
“Opozita në Kosovë duhet të bashkohet me një platformë të qartë politike për të ndal korrupsionin, nepotizmin, dhe fenomene tjera të dëmshme, t’u ofroj qytetareve zhvillim ekonomike, mbrojtje shëndetësore. S’ka asgjë vetëm me veprime të Vetëvendosjes, Kjo parti e ka humb gjysmën elektoratit, e më shumë në Prishtinë, në Fushë Kosovë dhe në shumë komuna, ky subjekt politik ka probleme të mëdha”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje ishte partia që identifikohej për organizimin e protestave masive me qëllim të pakënaqësive në skenën politike kosovare. Por, nuk dihet nëse do vazhdojë të ketë përkrahje nga qytetarët edhe pas përçarjes së brendshme të kësaj partie./E.Haxhiu./Arbresh.info/
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...