Google ADS

Veseli nuk i konsultoi partitë tjera rreth Tribunalit

08:04 | 9 Maj 2019
Arbresh.info

Iniciativa nga Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar, po shihet si një iniciativë e vonuar dhe qëa nuk mund të shkoj tutje. Të paktën kështu shprehen partitë opozitare në vende.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë për arbresh.info se kjo iniciativë nuk mund të shkoj tutje.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare në vend, tutje ka shtuar se një iniciativë e tillë mund të merret vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa shton se shefi i PAN-it, ishte dashur të koordinohet edhe më partitë e tjera.

“Serbia ka bërë krime dhe gjenocid në Kosovë. Ende sot nuk janë kthyer trupat e viktimave. Paqe dhe normalizim në mes të dy shteteve nuk mund të ketë derisa nuk kthehen trupat e të vrarëve dhe nuk dënohen kryesit e krimeve. Sigurisht se duhet të ketë Tribunal për krimet e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por, iniciativa e shefit të PAN-it duhet të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë dhe duhet të ketë mbështetjen e tyre. Një Tribunal i tillë nuk mund të themelohet nga Kosova, por nga bashkësia ndërkombëtare”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, shprehet se një iniciativë e tillë është mjaft e vonuar.

“Mendoj se e meriton pasi që mendoj se serbët janë agresorët, dhe duhet që mos të kalojnë pa u dënuar, por se a do të kalojë dhe a jemi vonë, është e vërtet se jemi vonë. Ndoshta më shumë ka nevojë për një gjykatë vendore pas miratimit të ligjit për shqyrtimin dhe dënimin në mungesë, por nëse ndodh do të përmirësohet një padrejtësi e  madhe që e kanë pësuar shqiptarët”.

Madje Kurteshi, thotë se për këtë iniciativë Kryetari i Kuvendit ka injoruar partitë e tjera duke mos marr mendim për këtë çështje.

“Na shqiptarët  punët i bëjmë përherë për mashalla për me ju thanë njerëzve se unë e fillova, duke mos menduar se çka mund t’i sjellim vendit nëse koordinomi dhe dalim me një ide të përbashkët. Kjo mënyrë e veprimit po na karakterizon me vite dhe ja kemi pa sherrin. Mendoj se s’duhet të ju gjejmë behane gjërave nëse vërtet do të mund të realizohet kjo iniciativë”.

Por, qëndrim tjetër për këtë ka deputeti nga partia në pushtet AAK-së.

Rasim Selmanaj, deklaron për arbresh.info, se iniciativa e Kadri Veselit është bërë publike në Kuvend dhe të gjitha partitë kanë qenë të pranishme.

“Nuk e di cilat do të jenë vështirësitë në realizimin e kësaj ideje, por si ide është mjaft e qëlluar. Mendoj se këtë iniciativë Veseli e ka shfaq në Kuvend dhe veç janë pajtuar të gjitha partitë politike, tashmë kanë mbetur vetëm të shkoj përpara si proces. Ne duhet me krye punën tonë”.

Ndryshe, kjo iniciativë e kryeparlamentarit Veseli, nga juristët po quhet më shumë lojë fjalësh se sa një e vërtet. Sipas tyre, një Tribunal Ndërkombëtar mund të formohet vetëm pas miratimit nga  Organizata e Kombeve të Bashkuara. /V.Selimi/Arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme