Google ADS

Veseli: Nga autostradat duhet të kalojmë tek investimet përmes ndërmarrësve e inovatorëve

08:03 | 8 Qershor 2019
Arbresh.info

Është inauguruar Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj.

Me hapjen e kësaj qendre u tha se inovacioni është boshti kurrizor i zhvillimit ekonomik.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Inovacioni është sektori i vetëm ku më së shumti mund të zhvillohet Kosova.

“E mira e Kosovës dhe Ferizajt është vetëm e ndërmarrësisë. Ne mund ta bëjmë Kosovën të jetë një vend më i mirë dhe të rinjtë të kthen tek familjet e tyre. Të orientohemi në gjëra që janë të mirëqena. Kosova ka perspektivë, ka mundësi të jetë një nga vendet më të zhvilluara në Ballkan. Kosova për asgjë nuk i merr lakmi Ballkanit dhe përreth, por vendeve si Gjermania dhe Zvicra. Inovacioni është sektori i vetëm ku më së shumti mundet me u zhvillu Kosova. Ne tani po përfundojmë autostradën që ka ngjallur debat, por ka qenë e domosdoshme për zhvillimin e vendit”, tha Veseli.

Ai pati një mesazh për të rinjtë derisa u siguroi përkrahjen e shtetit të Kosovës.

“Rini keni më shumë besim në shtetit e juaj, nuk kemi nevojë për debate kush është me i fortë në debate me Serbinë. Do të japim përkrahje pa rezervë dhe milionat do të drejtohet nga inovatorët, nga prodhuesit”, tha Veseli, raporton EO.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj tha se inovacioni dhe ekonomia digjitale do të jenë boshti kurrizor i zhvillimit ekonomik.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe kur je në mesin e atyre që të ardhmen e jetojnë duke punuar shumë. Qëllimi ynë parësor si ministri ka qenë që ta bëjmë ndërlidhjen funksionale mes teknologjisë informative dhe zhvillimit ekonomik. Vendi ynë ka potencial, është duke u zhvilluar në mënyrë masive nga shumë ndërmarrje në botë. Unë besoj fuqishëm që në do të jemi qendër e potencialit, me qendrën si e kemi sot këtu do krijojmë rrezatim konkretë. Kosova është ende në kërkim të identitetit ekonomik dhe unë besoj se inovacioni , ekonomia digjitale do të jenë boshti kurrizor i zhvillimit ekonomik” , tha ministri Beqaj.

Ai ka thënë se gjatë këtij muaji do të lansojnë program për të rinjtë që do të ndjekin praktika në disa ndërmarrje e më pas do të punësohen.

“Shumë shpejtë brenda këtij muaji do të lansojmë programin e ri të ministrisë së Inovacionit për t’i mundësuar të rinjve praktikë në disa industri e pastaj të vazhdojnë në punë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se Ferizaj tashmë ka një adresë të zhvillimit.

“Sot po hapin një mundësi të re për 10 studentë. Beqaj mbështeti me kurajë dhe mbështetje të parezervë këtë projekt. Sot në çdo cep të kësaj hapësire ëndrra është realizuar në përpikëri. Jam i lumtur që gjeneratat e reja kanë kaq mundësi dhe shpresë. Ferizaj tashmë ka një adresë të re zhvillimi”, ka thënë Aliu.

Të ngjashme