Veseli kujton poetin Ali Podrimja me vargjet: Unë biri yt Kosovë

22:18 | 28 Gusht 2019
Arbresh.info

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar sot në ditëlindjen e tij të 77-të poetin e madh shqiptar, Ali Podrimja.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të vendit, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se vargjet e Ali Podrimës ishin zëdhënëse të halleve, dhimbjeve dhe revoltës që vlonin në zemrën e popullit shqiptar.

“Ato na shërbyen edhe si thirrje kushtrimi e mobilizimi në rezistencën e luftës sonë çlirimtare, për gjakun tonë që nuk falet”, ka shkruar Veseli duke i bashkangjitur këtij shkrimi edhe vargjet e njohura të Podrimës, unë biri yt Kosovë.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Para 77 vjetësh ka lindur Ali Podrimja, një prej poetëve më të mëdhenj bashkëkohor të letërsisë shqipe. Ai ishte një intelektual i vërtetë dhe pena e tij ishte pasqyrë e realitetit historik të kombit tonë. Vargjet e tij ishin zëdhënëse të halleve, dhimbjeve dhe revoltës që vlonin në zemrën e popullit shqiptar. Ato na shërbyen edhe si thirrje kushtrimi e mobilizimi në rezistencën e luftës sonë çlirimtare, për gjakun tonë që nuk falet.

Në kujtim të mjeshtrit të madh të vargjeve që na u largua në mënyrë tragjike dhe të parakohshme, po e ndaj me juve poezinë emblematike të tij.

UNË BIRI YT

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta,

e të shpërthej do si vullkan,

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,

Unë, biri yt.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme