Veseli bën thirrje për forcim të luftës kundër korrupsionit

11:19 | 18 Prill 2019
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, për çka i ka ftuar institucionet përgjegjëse që të punojnë më shumë.

Duke folur para të pranishmëve, Veseli tha se nëpërmjet korrupsionit po dëmtohen qytetarët e Kosovës, shteti dhe perspektiva e tij.

“Korrupsionin mund dhe duhet ta ndalim vet, secili, pa mëshirë. Duhet ngushtuar hapësirën për njerëzit e korruptuar, që nga politikanët, nga të cilët kemi mjaft dhe flasin më së shumti. Por nganjëherë duhet sanksionuar edhe gjyqtarët e prokurorët, në mënyrë që ta kryejnë punën e tyre, ngase gjyqësori duhet të jetë i paanshëm”,
theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shfaqi besimin se me reformat që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor dhe me kapacitetet aktuale, ka mundësi dhe, siç tha ai, ka heronj të cilët do të dalin dhe do të ngrisin aktakuza edhe për njerëz të profilit të lartë politik.

Kreu i Kuvendit tha se njerëzit janë duke ikur nga Kosova, para së gjithash, sepse atyre u ka humbur besimi dhe ai besim duhet rikthyer.

Në këtë konferencë u paraqit edhe vizioni për formimin e Gjykatës Komerciale e cila është propozuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe do tu mundësojë bizneseve që të zgjidhin më shpejt kontestet e tyre.

Duke folur për investimet dhe bizneset në Kosovë, kryeparlamentari Veseli tha se vonesat në zgjidhjen e kontesteve kanë shkaktuar probleme të mëdha në funksionimin e tyre, por edhe në ardhjen e investitorëve të rinj nga jashtë.

Ai tha se Kosova ka resurse të jashtëzakonshme humane dhe natyrore për zhvillim dhe për të mbajtur brenda njerëzit e saj. Kjo, sipas tij, bazohet në një strategji të mirëfilltë ekonomike, e cila bazamentin e ka në praktikat më të avancuara të ndërmarrësisë dhe ekonomisë së lirë private.

“Kjo është arsyeja pse e kemi shtyrë përpara procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe përgëzoj ministrin për hapat konkretë në këtë drejtim. Besoj që në një kohë rekorde do ta miratojnë ligjin në Kuvend dhe të krijojmë infrastrukturën e nevojshme për funksionalizimin e shpejtë të gjykatave
komerciale”, theksoi Veseli.

Ai shtroi nevojën e harmonizimit të ligjeve, në mënyrë që të mos ketë ndërlikime dhe për rrjedhojë mos zbatim i tyre në praktikë.​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme